Nisma Socialdemokrate në një konferencë të jashtëzakonshme për medie, kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të jenë në funksion të mbrojtjes së luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale për ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi, transmeton Insajderi.
Sekretari i Përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi, tha se vendi tashmë duhet të përgatitet që betejën për drejtësi ta fitojë në sallën gjyqit në Speciale.
“Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës, shoqëria në përgjithësi duhet të jenë në nivel të përgjegjësive të veta, sidomos Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca në funksion të mbrojtjes së luftës së drejtë të popullit të Kosovës të udhëhequr nga UÇK. Ne jemi të vetëdijshëm se tashmë beteja do të zhvendoset në sallat e gjyqit dhe institucionet e vendit. Që nga institucionet e drejtësisë, qeveria dhe parlamenti duhet të përgatitin se të gjithë ata, përfshirë dhe Krasniqin që iu ka ra hise të ballafaqohen me këtë padrejtësi, të kenë mbështetjen e shtetit të Kosovës në mënyrë që edhe këtë betejë që tanimë është zhvendosur nga malet e Berishës në sallat e gjyqit, ta bëjmë bashkë si institucione dhe shoqëri”, tha Sherifi.
Sipas tij, aksioni i bastisjeve të sotme të EULEX-it për orë të tëra në shtëpitë e Krasniqit, ishte traumatike edhe për familjen e tij. /Insajderi.com