Nitaj flet për transferimin e luanit “Gjoni” në Holandë

Nitaj flet për transferimin e luanit “Gjoni” në Holandë

Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, ka biseduar me raportuesen e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, lidhur me fatin e luanit “Gjoni”, i cili mbahej në kushte joadekuate në Gjilan për më shumë se një vjet, njofton Insajderi.

Me anë të një shkrese të bërë publike, Nitaj ka treguar rreth transferimit të luanit “Gjoni” për në Holandë.

“E njoftoj opinion publik dhe znj. Von Craemon që Ministria që drejtoj i ka ndërmarr të gjitha hapat e nevojshem procedural e ligjor për lirimin dhe transferimin e tij në një vend ku luani “Gjoni”, do të trajtohej në përputhje me normat e kërkuara”, thuhet në shkresë.

“Tashmë kemi një vendim të Gjykatës për sekuestrimin dhe transferimin e tij në një vend tjetër, por fatkeqësisht Kosova  nuk është nënshkruese e Konventës CITES për qarkullim ndërkufitar të llojeve të kafshëve, andaj ne kemi kërkuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë që të mundësojnë transferimin e luanit “Gjoni”, përmes Shtetit Shqiptar, prej nga dhe është kontrabanduar në Kosovë i njëjti”.

“Jam në bashkëpunim të ngushtë me Ministrin shqiptar, Klosi, dhe me Ambasadën e Republikës së  Shqipërisë në Prishtinë dhe jemi në pritje të përfundimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Shteti Shqiptar që kjo çështje të mbyllet”.

“Shpreh keqardhjen që një problem kaq i lehtë ka kërkuar kaq shumë kohë për t’i gjetur zgjidhje, kjo edhe për shkak të pengesave që ka shteti i Kosovës në raport me konventat e caktuara”.

“Njëkohësisht shpreh mirënjohjen time për Fondacionin “Four Paës” që ka shprehur gatishmërinë që të merr përsipër organizimin e transportit të luanit “Gjoni”, nga Kosova në një vend të tretë, në këtë rast në Holandë”, është thënë tutje në njoftim. /Insajderi.com