Niveli i vdekshmërisë në Evropë – Shqipëria renditet e shtata në listë

Niveli i vdekshmërisë në Evropë – Shqipëria renditet e shtata në listë

Shqipëria renditet ndër vendet e Evropës që kanë një nivel të ulët të vdekshmërisë për 1000 banorë.

Gjatë vitit 2017, sipas të dhënave janë shënuar 7.7 vdekje për 1 mijë banorë.

Të dhënat janë publikuar nga Eurostat dhe janë përpunuar për shtetet evropiane nga “Il Sole 24 Ore”.

Sipas grafikut të hartuar nga Monitor, bazuar në këto të dhëna, Shqipëria renditet në vend të shtatë në Evropë, për nga niveli i ulët i vdekshmërisë, pas Irlandës, Islandës, Luksemburgut, Maltës, Norvegjisë, Qipros, duke pasur madje të njëjtin nivel me Qipron dhe Norvegjinë. Pas Shqipërisë, në vendin e tetë renditet Zvicra me 7.9 vdekje në 1000 banorë, përcjell albinfo.ch.

Vendi që renditet në fund është Bullgaria, me 15.5 vdekje për 1000 banorë. Edhe vendet e tjera të rajonit kanë nivel të lartë vdekshmërie si Serbia (14.8), Greqia (11.6), Kroacia (12.9), Mali i Zi (10.5), Maqedonia (9.8).

Në Itali dhe Gjermani, këto norma janë përkatësisht 10.3 dhe 11.4.

Pavarësisht se janë ndër më të ulëtat në Evropë, vdekjet në Shqipëri po vijnë në rritje vit pas viti, duke reflektuar plakjen e popullsisë dhe rritjen e sëmundshmërive. Në vitin 2016, ky tregues ishte 7.4, që e renditje Shqipërinë të katërtën në Evropë, për nga niveli i ulët i vdekshmërisë.

Sipas të dhënave të mëparshme të INSTAT, Në vitin 2017, numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri është 22.232, duke shënuar një rritje prej 3,9%, krahasuar me vitin paraardhës. Sipas gjinisë, numri i vdekjeve të raportuara për meshkujt është 11.610 (2,9% më shumë se në vitin 2016) dhe për gratë 10.622 (5,1% më shumë se në 2016).