Një anëtar i LDK-së shpall kandidaturën për të parin e partisë

Një anëtar i LDK-së shpall kandidaturën për të parin e partisë

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Gashi, të enjten pritet të shpallë kandidaturën për të parin e kësaj partie, njofton Insajderi.

Në një njoftim për media, ai ka bërë të ditur se arsyeja e këtij vendimi është se “LDK viteve të fundit ka pësuar një rënie të madhe dhe ka humbur kredibilitetin dhe simpatinë nga votuesit e saj”.

Sipas Gashit, në krye të këtij subjekti politik duhet të vijnë njerëz që kanë identitet, integritet, karakter të fortë, që punojnë për ruajtjen e integritetit të Kosovës dhe zgjidhjen e çështjeve politike, ekonomike e sociale me të cilat po përballet Kosova tash e 20 vjet.

Ai është shprehur se kandidaturën nuk e ndjen privilegj, por obligim kombëtar ndaj proceseve aktuale politike.

“Nëse unë vi në krye të LDK-së, ajo do të dalë përsëri Partia e Parë ose e dytë. Në zgjedhjet lokale që mbahen në të ardhmen do ta kthej LDK-në në rreth 22%. Në zgjedhjet nacionale do ta kthej LDK-në në 27%.

Këto janë objektivat e mia, që me punën dhe bagazhin tim që kam dhe me menaxhimin e duhur që e kam që nga vitet 92-93, ku jam I angazhuar në çështjen politike si Brenda Kosovës dhe në diasporë”, thuhet në njoftimin e Gashit./Insajderi.com