Një i arratisur nga drejtësia dhe një ish-prokurore e EULEX-it konfrontohen në Facebook

Zharku, i cili në vitin 2012 ishte arratisur nga Kosova për në Suedi - për t'i ikur një dënimi prej tri vitesh burgim, të shqiptuar nga EULEX - drejton akuza të rënda ndaj Bamieh. I thotë se ka dëshmi që ajo ka montuar rastin ndaj tij. Për këto akuza, ai thotë se ka dorëzuar fakte tek EULEX-i.

Një i arratisur nga drejtësia dhe një ish-prokurore e EULEX-it konfrontohen në Facebook

Një i arratisur nga drejtësia, ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut Xhabir Zharku dhe ish-prokurorja e EULEX-it Maria Bamieh, janë përplasur me njëri-tjetrin në Facebook. Konfrontimi në gjuhën angleze mes tyre ka bërë që ata të ballafaqohen për rastin e gjykimit ndaj Zharkut dhe për aktakuzën e ngritur kundër tij nga Bamieh.

Zharku ankohet tek Bamieh se ajo e kishte montuar aktakuzën ndaj tij, me qëllim “për ta diskretuar” atë dhe karrierën e tij politike.

“Maria Bamieh, unë do të doja të kisha besim tek ju, por ju duhet të jeni më e ndershme dhe e hapur”, i thotë Zharku – prokurores britanike. “Sa i përket rastit tim, kur më keni hetuar mua, ju nuk keni qenë e interesuar që t’i merrni faktet edhe pse ju kam ofruar fakte se ‘dëshmitari’ që keni përdorur kundër meje ishte përdorur vetëm në mënyrë që unë të akuzohesha dhe dënohesha. Kjo metodë ishte përdorur kundër meje për të më diskredituar mua dhe karrierën time politike”.

Zharku, i cili në vitin 2012 ishte arratisur nga Kosova për në Suedi – për t’i ikur një dënimi prej tri vitesh burgim, të shqiptuar nga EULEX – drejton akuza të rënda ndaj Bamieh. I thotë se ka dëshmi që ajo ka montuar rastin ndaj tij. Për këto akuza, ai thotë se ka dorëzuar fakte tek EULEX-i.

“Ju bëjë të ditur se ‘dëshmitari’ juaj Luri, e përdori emrin tuaj duke thënë se ju ishit e dashura e tij dhe se ai mund të të përdorte ty kundër meje dhe të tjerëve në çdo kohë, sic ai bëri disa herë! Këtë informacion që ia kam dhënë agjentit Michel Migerode, i cili erdhi në Suedi për të më pyetur se çfarë unë dija për korrupsionin në EULEX, të cilit i kam dhënë një CD dhe një transkriptim për faktet që lidhen me rastin tim”, thotë Zharku.

“Michel më tha, në prani të avokatit tim, se ju kishit thënë njëherë, në prezencë të zotit Michel, se ‘në rastin Zharku ka mundësi që mund të bëjë një gabim të madh në lidhje me aktakuzën ndaj z. Zharku!’. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, z. Luri është thirrur në pyetje nga EULEX-i dhe nga Policia e Kosovës, por ai u largua nga Kosova dhe nuk u përgjigj kurrë [në ato pyetje]. A do të thotë kjo se ai frikësohet se më nuk është i mbrojtur nga prokurorja e EULEX-it, të cilës ai ka shërbyer?!”, vazhdon ai.

Bamieh ka thënë se posedon dëshmi që Zharku ka kërcënuar disa ushtarë të UÇK-së, raporton Gazeta Online Insajderi.

 

“Po unë e di se çfarë prova keni dhënë ju dhe vet dëshmitë tuaja e kanë vërtetuar fajësinë tuaj. Ju kurrë nuk keni vuajtur asnjë dënim dhe nuk kam asnjë fakt të them se aktakuza ndaj jush ishte politike. Unë e di që ju keni kërcënuar luftëtarë të tjerë të UÇK-së. Unë nuk kam marrëdhënie me askënd, por ju mund të thoni cfarë të doni. Kjo në asnjë mënyrë nuk e arsyeton atë që keni bërë”, reagon Bamieh, ndaj akuzave të Zharkut.

Bamieh i thotë Zharkut se ka qenë e papritur që një ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke iu referuar atij, të largohej nga Kosova për një dënim të shqiptuar.

“Nuk ka qenë e pritur që një luftëtar ta lëshonte vendin. Nëse janë të pafajshëm, duhet të qëndrosh dhe të gjesh dëshmi”, shkruan Bamieh, teksa thotë se provat që kishte dhënë në Gjykatë ndaj tij kanë qenë të bazuara dhe të argumentuara.

Ish-kryetari i Kaçanikut thotë se dënimet duhen dhënë, por siç thotë ai, vetëm në raste kur ka prova të mjaftueshme.

“Unë pajtohem me juve. Kushdo që kryen një krim pa marrë parasysh se në çfarë situate apo grupi etnik duhet të vihet para drejtësisë. Por dënimi duhet të ketë prova dhe jo deklarata politike, sepse në qoftë se krimi nuk argumentohet me prova, ekziston rreziku që kriminelët e vërtetë të jenë ende në liri dhe njerëzit e pafajshëm të dënohen me burg”, i replikon Zharku, ish-prokurores së EULEX-it. /Insajderi.com