Një bulevard për lehtësim të komunikacionit kah Kosova

Projekti i ndërtimit të një pjese të këtij bulevardi ishte pjesë pioritare e komunës së Tetovës edhe në mandatin e kaluar por nuk u filluan punët.

Një bulevard për lehtësim të komunikacionit kah Kosova

Pas tre muajve ndërprerje të punimeve, sërish kanë dalur në teren makineria për vazhdimin e punëve ndërtimore në bulevardin e rrugës Industriale në Tetovë.

Vazhdimi i bulevardit është projekt i komunës së Tetovës me Ministrinë e Financave në vlerë rreth një milion euro, shkruan Gazeta Online Insajderi.

Ndërtimi i këtij bulevardi filloi të ndërtohet për lehtësimin e komunikacionit në rrugët tjera të Tetovës sidomos të atyre automjeteve që qarkullojnë për në rrugën Tetovë-Jazhincë në drejtim të kufirit me Kosovën.

Shumica e tyre për të arritur në këtë rrugë shfrytëzojnë bulevardin “Bllagoja Toska”, dhe e rëndojnë shumë komunikacionin, kurse me hapjen e bulevardit pritet që shumë rrugë tjera të Tetovës të kenë më pak frekuentim.

“Ky është një projekt i madh kapital i komunës së Tetovës ku mendojmë se pas ndërtimit do të lehtësohet komunikacioni brenda në qytet.

Po ashtu pritjet tona janë që pasi të rregullohet ky bulevard dhe të kemi më pak kaos në qytet, do të kemi edhe ulje të ndotjes që vjen nga automjetet”, thonë nga shërbimi për informim në komunën e Tetovës.

Në kohën kur filluan punët për vazhdimin e këtij bulevardi i cili duhet të lidhet me pjesën tjetër të qytetit tek kazerma, kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se prioritet për komunën ka qenë që të rregullohet ky bulevard për të evituar kaosin në pjesën qendrore.

Por, ajo nuk ka dhënë afat të saktë se kur do të përfundojnë punët.

“Bëhet fjalë për investim prej 980 mijë eurove. Gjatësia e rrugës përfshin pjesën prej 700 metrave, gjerësia nga të dy anët nga 7 metra, në mes është e paraparë pjesa e gjelbërimit dhe në të dy anët është paraparë trotuar. Në këtë moment zhvillohet pjesa e pare e punimeve, që janë ata të nëntokës që i bie rregullimi i kanalizimit dhe gjithë sistemi i pajisjeve nëntokësore. Menjëherë pas kësaj faze pason faza tjetër, që është asfaltimi. Këtë projekt e kemi vendosur si prioritet në Komunën e Tetovës për shkak se kjo është pjesë e masave tona kundër ndotjes së ajrit, sepse në këtë mënyrë do të zvogëlohet lëvizja e automjeteve të rënda në pjesën qendrore” kishte thënë kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arif.

Por, vështirë se do të mbahen afatet e dhëna që ky bulevard të ndërtohet brenda nëntë muajve, ngase tre muaj nuk janë zhvilluar aktivitete ndërtimore për shkak të krizës me pandeminë Covid-19.

Projekti i ndërtimit të një pjese të këtij bulevardi ishte pjesë pioritare e komunës së Tetovës edhe në mandatin e kaluar por nuk u filluan punët.

Nga komuna e Tetovës shpresojnë që pas ndërtimit të këtij bulevardi qeveria të fokusohet edhe në ndërtimin e një qarkore në autostradën Shkup-Tetovë që do të lidhej direkt me rrugën Tetovë për në vendkalimin me Kosovën.

Kërkesë për këtë është dërguar nga tre komuna të Pollogut në qeveri, por edhe premtim është dhënë nga ish kryeministri Zoran Zaev, por deri më tani konkretisht asgjë nuk është ndërmarrë.

Në Tetovë qytetarët një kohë të gjatë presin që të rregullohet bulevardi “Bllagoja Toska”, por deri më tani një pjesë e tij është shndërruar në një parking ku ka vetëm kaos./Insajderi.com