Një delegacion i Kongresit amerikan që drejtohet nga senatorja republikane, Joni Ernst, është duke e vizituar Kosovën.
Këtë, Ambasada Amerikanë në Prishtinë e ka konfirmuar për REL.
“Gjatë qëndrimit në Kosovë, senatorja Ernst do të takohet me liderët qeveritarë, sipërmarrësit vendas dhe partnerët e tjerë kosovarë për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin në kuadër të Programit për Partneritet Shtetëror të Ajovës me Kosovën – që është standard i artë për programet e partneritetit shtetërorë në mbarë botën”, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane.
Programi ka për bazë bashkëpunimin ndërmjet Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“SHBA-ja mbetet e përkushtuar në mbështetjen e FSK-së, në transformimin e tyre transparent 10-vjeçar drejt një force multietnike të mbrojtjes territoriale. Aktivitetet e përbashkëta ndërmjet Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Kosovës jo vetëm që rrisin kapacitetet e FSK-së, por ndërtojnë raporte të rëndësishme, prezantojnë lidership dhe rrisin besimin mes dy vende tona”, thotë Ambasada amerikane.
Senatorja nga shteti i Ajovës, Ernst ka shërbyer për mbi 23 vjet në Ushtrinë amerikane dhe po ashtu është gruaja e parë, veterane e ushtrisë, që u zgjodh në Senatin amerikan.
Forcat e Sigurisë së Kosovës janë në një mision paqeruajtës në Kuvajt në krahë të forcave amerikane. /Insajderi.com