Një ditë pasi që përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, do ta takojë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, do ta takojë edhe kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Mediat serbe raportojnë se Bërnabiq do të qëndrojë në Bruksel më 18 dhe 19 dhjetor, derisa ajo do ta kryesojë takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Bashkimit Evropian.
“Gjatë Këshillit të Stabilizim-Asociimit, ne do të bëjmë një pasqyrë mbi përparimin që Serbia ka bërë në përgatitjet e saj për anëtarësim dhe në Raportin e Komisionit për 2018”, citohet të ketë thënë zyrtarë qeveritarë serbë.
Edhe Haradinaj do t’i prijë ekipit të Kosovës, në Këshillin për arritjet në procesin e zbatimit të MSA-së, ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Para këtij takimi BE-ja i kërkoi Kosovës që të pezullojë masën për taksë 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina, dhe si kundërshpërblim i ofroi se në CEFTA, Kosova do të njihet jo si UNMIK, por si Kosova me fusnotë (Kosovo*).
Kabineti i Hardinajt tha se s’e komenton letrën – në të cilën u nënshkruan Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, Komisionerja për tregti Cecilia Malmstrom dhe Komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn – por deklaroi se Qeveria i rri mbrapa deklaratës së dhënë se masa hiqet kur Serbia ta njohë Kosovën.
Pritet që temë diskutimi të jetë edhe Rezoluta për dialogun dhe krijimi i ushtrisë.