Një ditë pasi iu refuzua hyrja në Serbi, Gërvalla niset për në Luginë

Një ditë pasi iu refuzua hyrja në Serbi, Gërvalla niset për në Luginë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, njoftoi se të enjten do të vizitojë Luginën e Preshevës, përcjell Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla tha se edhe pse me një ditë vonesë, do të vizitojë përfaqësuesit institucional dhe qytetarët e komunave në Luginë.

“Me një ditë vonesë, pas pak do të filloj vizitën time të parë në Luginën e Preshevës. Ndihem shumë e privilegjuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të vizitoj përfaqësuesit institucional dhe qytetarët e komunave në Luginë dhe të flas e të shoh nga afër se si mund të thellojmë bashkëpunimin tone”, shkroi ajo.
Kryediplomatja kosovare tregoi se gjatë vizitës do të ketë takime edhe me deputetë, përfaqësues të partive politike shqiptare dhe studentë.

“Së bashku me prof. Rexhep Gjergjin jemi nisur drejt Bujanocit, ku do të takohemi fillimisht me kryetarin e kësaj komune, z. Nagip Arifi. Takime do të zhvillojmë edhe me përfaqësues të tjerë institucional në këtë komunë.

Gjatë ditës do të qëndrojmë edhe në Preshevë, ku do të takohemi edhe me kryetaren e komunës, znj. Ardita Sinani. Do të zhvillojmë takime me deputetë, përfaqësues të partive politike shqiptare dhe student”, njoftoi tutje Gërvalla.

Ndryshe, të mërkuren, Gwrvallws, nuk është i lejuar hyrja në Luginën e Preshëvës.

Për këtë, Ministria e Punëve të Jashtme në një përgjigje për SHQIP.COM, tha se “është lojë e autoriteteve të Beogradit”.

“Ne kemi kërkuar leje. Vizita ka dështuar për shkak të lojërave të pandershme të Beogradit. Vizitën do të përpiqemi megjithatë ta realizojmë në një datë tjetër”, thuhet në përgjigje./Insajderi.com