Një ditë pasi Policia liroi sulmuesin nga Lipjani sulmi tjetër ndodhi në Ferizaj

Një ditë pasi Policia liroi sulmuesin nga Lipjani sulmi tjetër ndodhi në Ferizaj

Gruaja rome, për të cilën u raportua gabimisht se kidnapon fëmijë, është sulmuar sot për herë të dytë në Ferizaj. E njëjta ishte sulmuar para dy ditësh në qytetin e Lipjanit. Lidhur me rastin policia kishte arrestuar një person të dyshuar, por i njëjti u lirua ditën e djeshme.

Si duket lirimi i sulmuesit nga Policia “i dha krahë” sulmuesve nga Ferizaj të cilët e sulmuan sërish sot gruan nga komuniteti rom.

Policia e Ferizajt duket se nuk kanë arritur që ta identifikojnë sulmuesin edhe pse në video ai shihet qartë.

Mehmet Alihajdini nga Policia në këtë rajon, ka thënë për Insajderin se gruaja rome është shoqëruar në stacionin policor por që nuk kanë informacion a është sulmuar apo jo.

“Një qytetar ka thirrë në qendrën e komunikimit te ne edhe ka lajmëruar që gruaja rome është parë në shesh. Patrolla policore iu ka përgjigj menjëherë rastit. E ka parë këtë gruan dhe e kemi shoqëruar në stacionin Policor në Ferizaj. Momentalisht është në stacion, mirëpo për që është sulmuar apo diçka, nuk e kemi atë informacion njëherë, sepse kur ka shku Policia, ajo është parë e vetme”

“Gruaja momentalisht nuk po flet hiç. Nuk shihen shenja të dukshme të dhunës. Hetuesit kanë dalë në terren me e verifiku a është sulmuar apo jo”, ka thënë Alihajdini.

Por një lexues i cili e ka dërguar fotografinë në adresën e Insajderit, ka thënë se Policia ka qenë e njoftuar dhe se sipas tij, ajo është sulmuar pasi Policia e ka shpëtuar njëherë dhe e ka lënë.

“Policia erdhi. E kanë shpëtuar njëherë, mirëpo sulmuesit e kanë pritë 1 orë deri sa ka dalë nga një lokal dhe e kanë sulmuar me shqelma e  kanë malltretu”, ka thënë ai.

Kjo është hera e dytë që po sulmohet gruaja rome. Edhe të mërkurën është sulmuar në Lipjan./Insjaderi.com