Kryeqyteti është një nga qytetet me numrin më të madh të përdorimit të narkotikëve. Ndërsa llojet më të përdorura të drogave janë: Marihuana, Heroina, Kokaina, Bime Kanabis dhe Ekstazy.
Policia e Kosovës sot ka marr një aksion policor kundër parandalimit të përdorimit të narkotikëve kryesisht nga të rinjtë.
Ky operacion u zhvillua pas një takimi të Drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni me kryeministrin e ri të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Gjatë këtij takimi ishte arritur një marrëveshje në mes kryeministrit Haradinaj dhe drejtorit Maxhuni.
Ata kishin rënë dakord që në mënyrë urgjente të merren me luftimin kundër përdorimit të drogave nga të rinjtë në shkollat e Kosova.
Sot Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kishte zhvilluar një aksion në Prishtinë dhe në Gjakovë.
Ky operacion sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha nuk ka rezultuar me ndonjë arrestim apo konfiskim të ndonjë materiali.
Mirëpo Hoxha ka treguar për Insajderin shifrën e konfiskuar të narkotikëve gjatë periudhës Janar-Shtator të vitit 2017.
Hoxha ka thënë se droga më e frekuentuar si për trafikim ashtu edhe për konsumin është marihuana.
“Gjatë periudhës Janar deri 15 shtator të vitit 2017 nga Policia e Kosovës janë konfiskuar: Marihuanë 1624 kg, Heroinë 31.63 g, Kokainë 539g, Bime kanabisi 5754 , 140 g ekstazy”, ka treguar Hoxha për Insajderin.
Ndërsa sasia me e madhe është konfiskuar në muajin Prill, 906 kg e 843g dhe në Mars 269kg 824g.
Qyteti me numrin më të madh të rasteve për përdorimin e narkotikëve është Prishtina, ka thënë Hoxha.
Kujtojmë se Policia e Kosovës këtë muaj ka konfiskuar një sasi prej 135 kilogramë narkotikë të llojit marihuanë në rajonin e Ferizajt, më saktësisht në rrugën Gjilan-Ferizaj, në fshatin Bibaj. /Insajderi.com