Një fëmijë 4 – vjeç vdes nga zjarri i shkaktuar nga bombola në Tiranë

Një fëmijë 4 – vjeç vdes nga zjarri i shkaktuar nga bombola në Tiranë

Policia ka konfirmuar se shkak i zjarrit te Unaza e re në Tiranë ishte shpërthimi i bombulës së gazit që përdorej për gatim në ballkon.

Sipas policisë dyshohet se rrjedhja e vazhdueshme e gazit ka mbushur ballkonin e mbuluar duke shkaktuar më pas shpërthimin nga ndonjë shkëndijë elektrike. Në ballkon po luante djali i vogël ndërsa nëna e tij, Rabije Nezha po kujdesej për vajzën 7-muajshe.

Me shpërthimin e flakëve ajo ka nxjerrë jashtë vajzën e vogël, por nuk ka mundur dot të hyjë sërish në apartament për të marrë djalin që kishte mbetur brenda. Flakët i ka parë edhe babai, Amarildo Nezha që kishte një dyqan në pallatin përballë. Ai ka shkuar menjëherë në banesë por e ka pasur të pamundur të hyjë brenda pasi zjarri po digjte gjithçka.

Për shkak të tymit të marrë në mushkëri edhe çifti ka rrezikuar jetën. Ata janë shoqëruar nga banorët e tjetër në spital. Të pranishmit thanë se edhe ambulanca edhe zjarrfikësja shkuan me vonesë në vendin e ngjarjes.