Një foshnje e gjinisë femërore është gjetur në oborrin e një shtëpie në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, të enjten herët në mëngjes, dhe nuk dihet se nga kush është lënë aty.
Burri, me inicialet F.S., ka treguar për Express se në orën 05:00 të mëngjesit i ka dëgjuar të qarat e një foshnje të braktisur në oborrin e shtëpisë së tij, ai menjëherë e ka lajmëruar rastin në polici.
“Sot rreth orës 5 të mëngjesit në oborrin e shtëpisë sime dikush ka lënë një foshnje të porsalindur. Kur u zgjova në mëngjes pashë fëmijën e posa lindur duke qarë dhe menjëherë lajmërova policinë. Policia erdhën e morën dhe dërguan në spital”, ka rrëfyer F.S, i cili shpreson t’i gjendet ndonjë i afërm foshnjës.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Qazim Bajraktari” në Lagjen e Spitalit në Prishtinë.
Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës ka thënë për Express se foshnja është vajzë dhe se mjekët kanë konstatuar gjendjen e mirë shëndetësore të kësaj foshnje.
Ndërkohë që policia po merret me rastin.