Një person ka vdekur dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur sot (e shtunë) në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, njofton Insajderi.
Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.
Policia ka arritur të arrestojë të dyshuarin, i cili po ashtu është i lënduar dhe është dërguar për tretman mjekësor.
Lajmin për Insajderi-n e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Rreth orës 11:27, policia në Mitrovicë është njoftuar për një rast në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë ku është përdorur arma e zjarrit. Njësitë policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Policia ka kuptuar se një person mashkull kosovar, ka shtënë në drejtim të tre personave të cilët janë të plagosur, të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Gjithashtu edhe i dyshuari është i lënduar, i njëjti është arrestuar nga njësitë policore dhe është dërguar për tretman mjekësor. Raportohet se një nga të plagosurit ka ndërruar jetë”, ka thënë Zahiti.
Njësitet policore po vazhdojnë ta trajtojnë rastin./Insajderi.com