Java e historisë/historive

Një javë historike, apo veç një javë tjetër?

Kosova do që të njihet si shtet i pavarur nga Serbia dhe të vazhdojë rrugëtimin në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Serbia nuk pranon ta njohë Kosovën dhe e lufton anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Ky është problemi. Por, cila është zgjidhja?

Një javë historike, apo veç një javë tjetër?

Një javë historike për Kosovën.

Kështu janë cilësuar shtatë ditët e ardhshme nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një komunikim të tij me gazetarë, pas takimit me kryeministrin Avdullah Hoti, njofton Insajderi.

Rëndësinë historike kësaj jave, sipas presidentit do t’ia dëshmojë e ardhmja.

E meqë është historike, Thaçi tha se duhet të ketë bashkëpunim, prandaj edhe në dialogë u shpreh se nuk do të ketë garë mes tij dhe Hotit, porse “do ta plotësojmë njëri – tjetrin”.

Madje, për të arritur njohje reciproke nga Serbia, presidenti propozoi që të punojë ngushtë i gjithë spektri politik.

Por, sa do ngushtë që do të punohet, nëse pyeten liderët serbë, nuk ka shumë rëndësi, pasi tash e disa ditë nëpër mediat e Serbisë po deklarojnë se propozimit për njohje të shtetësisë së Kosovës do t’i përgjigjen me një “jo të madhe”.

I fundit është deklaruar për këtë çështje, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Ai, në intervistë për Televizionin Prva, tha se “Beogradi dëshiron të diskutojë çështjen e Kosovës me të gjithë, por askush nuk mund të imponojë zgjidhje dhe se askush nuk mund ta detyrojë Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës”.