Një mijë e 536 raste aktive me Coronavirus në Prishtinë, Ahmeti thotë se kjo është shqetësuese

Një mijë e 536 raste aktive me Coronavirus në Prishtinë, Ahmeti thotë se kjo është shqetësuese

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është shprehur i shqetësuar për situatën e krijuar me pandeminë Covid-19 në kryeqytet derisa bën thirrje për kujdes, njofton Insajderi.

Prishtina e cila edhe prin listën e komunave me më së shumti të infektuar me këtë virus, nga data 20 mars deri më sot ka regjistruar tre mijë e 103 raste, prej të cilëve një mijë e 536 janë ende aktive.

“Bazuar në të dhënat e marra nga IKShP dhe raportin e konsoliduar nga Shtabi Emergjent në Prishtinë del se momentalisht, që nga data 20 Mars deri sot kemi 3103 raste me #covid19 prej të cilave 1536 raste janë ende aktive. Kemi 1533 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 34 raste që kanë përfunduar me fatalitet”, u shpreh ai.

Ahmeti bën apel që të mbartni maskën, e cila mbetet një prej tri rregullave kryesore dhe masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit dhe rëndimin e situatës edhe më shumë. /Insajderi.com/