Një muaj paraburgim për Naser Sekiraqën dhe Fatlum Abazin

Një muaj paraburgim për Naser Sekiraqën dhe Fatlum Abazin

Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për Naser Sekiraqën dhe Fatlum Abazi.

Ata kanë sulmuar pardje me armë zjarri dy persona të tjerë. Naser Sekiraqa është vëllai i Enver Sekiraqës, i cili ka një të kaluar kriminale.

Naser Sekiraqa dhe Fatlum Abazi në bashkëkryerje me të pandehurin Ardian Abazi, i cili gjendet në arrati, dyshohen për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë dhe veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur me anë të një komunikatë se të martën rreth orës 17:00, Policia ka marrë informacionin për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Ibrahim Lutfiu” në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se ditën kritike më të dalë vendin e ngjarjes ka zbuluar se rasti ka të bëjë me një vrasje të rëndë në tentativë, ku nga arma e zjarrit kanë pësuar lëndime dy persona: Z.J, mashkull , 30 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe N.U, mashkull , 44 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilët janë  dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Gazeta Insajderi ka raportuar dje për afërsinë e Abazit me kryeministrin Ramush Haradinaj.