Një muaj paraburgim për personin që shiste drogë në Gjilan

Një muaj paraburgim për personin që shiste drogë në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit B. K, i cili dyshohet që ka blerë, poseduar dhe shitë substanca narkotike, shkruan Insajderi.

Në njoftimin e dërguar për media thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se te i pandehuri gjatë kontrollit të zyrtarëve policorë, i janë gjetur 4 (katër) qese plasmani me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 5.62 gram, një telefon mobil i markës Iphone 6S, bankënota në vlerë 70 Euro dhe gjatë bastisjes në shtëpi është gjetur edhe një peshore digjitale.

“Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja  dhe shitja  e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, është shkruar në njoftim.

Më tej, është shkruar se Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që i njëjti është një recidivist i veprave penale. /Insajderi.com