Prizren: Një muaj paraburgim për djalin që vrau babain e tij

Prizren: Një muaj paraburgim për djalin që vrau babain e tij

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit M.H., i cili dyshohet se ka vrarë babain e tij, njofton insajderi.

Po ashtu, Gjykata ka lëshuar urdhëresë që të dyshuarit t’i bëhet edhe ekzaminimi psikiatrik, i cili duhet të kryhet brenda dy javësh nga dita e lëshimit të urdhëresës.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit  M.H., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore  për caktimin e kësaj mase, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri M.H., me datë 25.12.2020, rreth orës 13:50 minuta, në Prizren, afër shtëpisë së të ndjerit, e privon nga jeta anëtarin e familjes – babain e tij F.H., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake i pandehuri merr një thikë në kuzhinë, mjet ky i përshtashëm dhe i rrezikshëm për rrezikimin e jetës dhe shëndetit, del në rrugë para shtëpisë së tij dhe në momentin që e vëren babain e tij që zbret nga kamioni, i pandehuri fillon ta godas disa herë me thikë, në pjesë të ndryshme të trupit, si dhe në qafë në arterien ku si pasojë, i dëmtuari F.H., ndërron jetë në vendin e ngjarjes, e me këtë janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje, bëhet e ditur se “gjyqtari i procedurës paraprake, ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedure, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret të njëjtat janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, sipas mendimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”./Insajderi.com