Një muaj paraburgim për pesë të dyshuarit që u arrestuan gjatë aksionit kundër kontrabandës në veri

Një muaj paraburgim për pesë të dyshuarit që u arrestuan gjatë aksionit kundër kontrabandës në veri

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit kundër pesë të pandehurve të cilët janë arrestuar të mërkurën gjatë një aksioni të Policisë dhe Doganës së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Të pandehurit janë I.Z., R.K., A.K., A.D., dhe M.D., njofton gjykata.

“Dyshohen se kanë kryer veprën penale Pjesëmarrja ose Organizimi i grupit Kriminal të Organizuar nga neni 277 i KPRK-së lidhur me veprat penale Kontrabandim me mallra nga neni 311, Shmangie nga tatimi nga neni 307 si dhe veprës penale Tregtia e ndaluar nga neni 299 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve I.Z., R.K., A.K., A.D., dhe M.D e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin veç e veç, konform nenit 187 par. 1 nënpar. l.l dhe 1.2, pikat 1.1.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së”.

Aksioni ishte zhvilluar në nivel vendi dhe kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut, ku u krijuan tensione pasi serbët u ngritën në protesta për të kundërshtuar operacionin./Insajderi.com