Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit D.H.
Në njoftimin e Gjykatës për masën e paraburgimit të të pandehurit, bëhet e ditur se ai kishte organizuar lojëra të fatit në lokalin “Automate Club”, që ndodhet në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.
“Ekziston dyshimi i bazuar se prej muajit shtator 2019 e deri me datë 18 shtator 2020, në lokalin “Automate Club”, e cila ndodhej në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, i pandehuri, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror e në kundërshtim me Ligjin e lojërave të fatit 06/L-155, në mënyrë të kundërligjshme ka organizuar lojërat e fatit, ashtu që ekzistojnë rrethana të mjaftueshme për të treguar se nëse i pandehuri gjendet në liri, i njëjti do ta përsërisë veprën penale apo mund të kryejë ndonjë vepër tjetër penale” thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Me këto veprime të pandehurit dyshohet të ketë kryer veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale. /Insajderi.com