“Një nga një deri në asnjë” – rrugëtimi për Kosovën e pastër

“Një nga një deri në asnjë” – rrugëtimi për Kosovën e pastër

Rreth 50 kamionë me mbetje inerte dhe mbi katër mijë thasë me mbeturina janë larguar nga pesë deponi ilegale të mbeturinave vetëm në qytetin e Vushtrrisë nga vullnetarët e organizatës joqeveritare “Let’s Do It Kosova”, në kuadër të aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Por nuk është vetëm qyteti i Vushtrrisë që është pastruar nga mbeturinat. Në kuadër të aksionit, “Ta Pastrojmë Kosovën” i cili ka filluar më 15 shtator të këtij viti, gjithsej janë pastruar 534 deponi ilegale në krejt Kosovën.

Luan Hasanj, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës, “Let’s Do It Kosova”, ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i bashkohen aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”, që ambientet ku ata jetojnë t’i mbajnë të pastërta dhe t’i bashkohen vullnetarëve të “Let’s Do It Kosova”.

Hasanaj përveç kësaj, në secilin aksion kërkon të rritet vetëdija e qytetarëve që mos të hidhen mbeturina vend e pa vend, shkruan Gazeta Insajderi.

Derisa në gjithë Kosovën janë identifikuar 1572  deponi ilegale. Qyteti me numrin më të madh të deponive është Prizreni, 498 gjithsej ndërsa kryeqyteti, Prishtina, zë vendin e dytë me numrin më të madh të deponive ilegale, gjithsej 360.

Ku vetëm në deponin më të madhe të kryeqyteti që gjendet në lagjen “Kalabria”, ku kryesisht ka mbetje të materialeve ndërtimore, në ditën e parë të aksionit, “Ta Pastrojmë Kosovën”, janë larguar 150 kamionë me mbeturina.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga kjo deponi, në ditën kur zyrtarisht kishte filluar aksioni i pastrimit kishte thënë se po nisim një aksion të largimit të mbeturinave të grumbulluara tash e dy dekada sa është gjuajt në gjithë vendin.

“Për dy dekada është gjuajt mbeturina në gjithë vendin. E fillojmë dhe nuk do të ndalemi pa e kryer por pasi ta kryejmë heqjen e mbeturinave, nuk do të lejojmë të gjuhet mbeturina më kështu. Në vendin ku jemi sot do të kthehet në park, pra do të jetë një park për fëmijët dhe rininë “, kishte thënë Haradinaj.

Mirëpo nuk ishte vetëm kjo pjesë e kryeqytetit e ngulfatur nga mbeturinat. Lagjja “Mati 1”, hapësira tek stadiumi, “Fadil Vokrri”, “Parku Gërmia” ishin vendet ku u larguan mbi 50 thasë me mbeturina.

Vetëm hapësira tek stadiumi “Fadil Vokrri”, është dashur të pastrohet tri herë nga vullnetarët e “Let’s Do It Kosova”.

Ajo çka ishte duke e ngulfatur këtë hapësirë ishte, tregu i rrobave i cili ishte i paligjshëm dhe nuk plotësonte asnjë kriter që mbahej çdo të martë, për vite të tëra.

Hasanaj kishte bërë thirrje Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës që të marrin sa më shpejt masa që të largohet ai treg nga ajo pjesë.

“Bëjë thirrje tek Komuna e Prishtinës, Qeveria e Kosovës dhe inspektorët që të mbikëqyrin këtë pjesë dhe të mbyllet sa më shpejt ky treg përndryshe të gjithë thasët të cilët largohen nga kjo hapësirë do t’i vendosim para dyerve të qeverisë”, kishte thënë Hasanaj.

Thirrja e Hasanjt ishte dëgjuar. Tregu i cili për vite me radhë kishte zënë frymën e kryeqytetasve tashmë është larguar, e aksionet në kryeqytet nuk ishin ndaluar.

E krejt ky aktivizim ka bërë që çdo banorë të merr vetë iniciativë për pastrim dhe mirëmbajtjen e ambientit e kjo ka ndodhur në lagjen “Mati 1”. Mbeturinat në këtë lagje të krijuar nga vet banorët, duke i hapur dritaret dhe i hedhur ato, aroma që kishin krijuar ishte e pakëndshme.

Berat Buzoku ishte i vetmi banorë i lagjes i cili ju kishte bashkuar vullnetarëve të “Let’s Do It Kosova.

Buzoku kishte thënë për Gazetën Insajderi se kishte njoftuar një ditë më herët për aksionin e largimit të mbeturinave, mirëpo thirrje e tij kishte hasur në vesh të shurdhur.

“Kam njoftuar të gjithë banorët e lagjes i kam thirr edhe shokët që me dal sot me pastrua këtë ambient me mbeturina se kondurmon një erë e keqe, po qysh po shihet këtu jam veç unë”, ka thënë Buzoku.

Qytetet e Kosovës të ngulfatur nga mbeturinat

E aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, nuk ishte i fokusuar vetëm në kryeqytet. Aksioni i radhës ishte në rajonin e Pejës, ani pse ky rajon regjistron numrin më të vogël të deponive ilegale, 49 deponi gjithsej, ishte fshati, Syne i Komunës së Istogut, ku në zemër të saj ishte krijuar një deponi me mbetje inerte.

Mbeturina këto të vendosura nga kompani të ndryshme ndërtimore dhe mbeturina amvisërore, nuk kishin krijuar një imazh të mirë për bjeshkët e anës së Dukagjinit.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Enver Rugova ka thënë për Gazetën Insajderi, se në këtë deponi ka mbetje të materialeve ndërtimore, inerte dhe të buta.

“Kjo deponi është deponia e tretë më e madhe në Komunën e Istogut, në këtë pjesë derdhen materiale ndërtimore dhe deponi inerte. Mirëpo çka vlen të ceket është se kjo deponi është një gropë artificiale e cila është krijuar pas gërryerjeve të dheut”, ka thënë Rugova.

E gjendja nuk ishte e mirë as në brezet rrugore të qytetit të Pejës. Në aksionin e mbajtur në qendër të Dukagjinit u kërkua nga komuna dhe qytetarët që të jenë më të përgjegjshëm.

Kurse në Prizren, në fshatin Mushnikova, u larguan dhjetëra thasë nga nxënësit e shkollës së fshatit.

Mirëpo një numër i madh i mbeturinave ishin larguar në qytetin e vogël të Vushtrrisë. Mbi katër mijë thasë me mbeturina dhe rreth 50 kamionë me mbetje inerte ishin larguar nga pesë deponi ilegale.

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi i cili ishte edhe vetë prezent në këtë aksion kishte thënë se qytetarët tashmë e kanë ndarë mendjen që të jetojnë pa mbeturina, teksa u zotua se Ministria që ai udhëheq do të vazhdojë investimet nëpër komuna për menaxhimin e mbeturinave.

“Sot patëm vullnetarë edhe klubet e gjelbra të shkollave, dhe kjo përveç pastrimit, ndikon edhe në vetëdijesimin e qytetarëve që të jetojnë në një ambient pa mbeturina. I kemi përcjellur vazhdimisht të gjitha aktivitetet që janë organizuar në Komunë e Vushtrrisë në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, dhe jemi të lumtur që tashmë qytetarët e kanë ndarë mendjen që të jetojnë në ambiente pa mbeturina. Ne zotohemi se do të investojmë sërish në menaxhimin e mbeturinave për çka do të ndajmë grante për komunat”, ka thënë Matoshi.

Mirëpo intervenim më i vogël u nevojit në qytetin më të pastër në Kosovë, Viti. Kryetari i kësaj komunë, Sokol Haliti dhe vullnetarët e “Let’s Do It”, pastruan hapësirën rreth varrezave të qytetit dhe të mbillen pemë për rreth tyre.

E 200 thasë me mbeturina dhe disa kamionë me mbetje inerte ishin larguar nga tri lokacione në Lipjan, ku u bashkuan qindra vullnetarë në kuadër të Fushatës më të madhe në vend “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj ka thënë se Komuna e Lipjanit është shembull për gatishmërinë e saj  në organizimin e aktiviteteve për largimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Kjo komunë është model i mirë kur flasim për angazhime të tilla, gjithmonë gjejmë mbështetje dhe përkrahje  prej komunës në të gjitha format që ne i kërkojmë dhe shpresojmë që ky angazhim që po shihet sot të përfundoj me një Lipjan të pastër dhe bashkë me Lipjanin edhe me një Kosovë më të pastër”, kishte thënë Hasanaj.

Por aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, nuk kishte synimin vetëm pastrimin. Synimi i tyre është që shoqëria të vetëdijesohet për mjedisin.

Për këtë janë mbajtur tryeza të ndryshme në qytete të Kosovës, si Skenderaj, Fushë Kosovë, Prizren, Gjilan dhe Ferizaj për të ngritur kapacitetin e mësimdhënësve në fushën e mjedisit.

Pastrimi në lagjet e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian

Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, kishte në fokus edhe pastrimin e lagjeve të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian. Deri tash vullnetarët e “Let’s Do It Kosova”, kanë pastruar nga mbeturinat mbi katër lagje të komuniteteve.

Në Mitrovicë janë pastruar dy deponi ilegale në Lagjen e Romëve nga shoqata “Let’s Do It Kosova”, ku morën pjesë afër 100 vullnetarë.

Po ashtu me aksione për pastrimin e deponive ilegale me mobilizimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe vullnetarëve të “Let’s Do It Kosova” u pastrua lagjja  në qytetin e Fushë Kosovës.

Përvec këtyre dy vendeve ishin edhe banorët e fshatit Nakëll në Pejë, të cilët ju bashkuan aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”. Në këtë lagje u larguan rreth tre kamion me mbeturina.

Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, i cili është planifikuar që të zgjasë tre muaj. Është dashur që të krijohet një taskë forcë që të largohen shumica e mbeturinave në Kosovë.

Kjo taskë – forcë është krijuar nga Qeveria e Kosovës ku janë bashkuar edhe 11 ministri tjera së bashku me organizatën jo qeveritare, “Let’s Do It Kosova”.

Kanë mbetur edhe pak ditë nga përfundimi i aksionit dhe thirrja e çdo aktivisti është që vendin e tyre ta shohin të pastër sepse ne nuk jemi një shoqëri me vlera nëse e shkatërrojmë ambientin ku jetojmë.

E tashmë pas gjithë këtyre aksioneve pastrimi, mesazhi më i mirë do të ishte “Ta Mbajmë Kosovën të Pastër” . /Insajderi.com