Pushimet me rastin e festave të fundvitit i kanë shqetësuar autoritetet zvicerane. Ekziston frika se shumë njerëz janë infektuar me Coronavirus në festat familjare.
Por një gjë është e sigurt, në Zvicër rregullat e pushimit ishin të rrepta. Maksimumi i personave që mund të mblidheshin është 10, restorantet janë të mbyllura dhe takimet në hapësirat publike janë rreptësishtë të kufizuara, shkruan Nau.ch.
Numër i madh i njerëzve kishin udhëtuar në vendlindjen e tyre për festat e fundvitit. Në veçanti diaspora shqiptare ishte qartë e gatshme të udhëtonte për në Kosovë gjatë festave. Të paktën kështu tregon numri i fluturimeve nga Zvicra në Kosovë.
Vetëm më 2 janar, gati 50 aeroplanë nga Prishtina kanë ateruar në Aeroportin e Bazelit, ndërkaq më 3 janar ishin 25.
Deri këtu kjo nuk është problematike, pasi Kosova që nga fundi i shtatorit nuk gjendet në listën e shteteve në zonën e kuqe. Mijëra persona që kthehen nga Prishtina dhe qytetet tjera mund t’u kthehen vendeve të tyre të punës nga sot dhe të takohen me miq. Pikërisht kjo po u shkakton shqetësim disave. Sandra Solberger anëtare e Këshillit Nacional të Zvicrës dhe anëtare e partisë SVP kërkon teste të shpejta për ata që kthehen nga jashtë.
“Njerëzit po vijnë nga festat familjare në vendlindjet e tyre nga një vend që ka nivel shumë të lartë të infeksionit”, ka thënë ajo./Insajderi.com