Një plagosje dhe shumë blerje votash – bilanci 5 orësh i zgjedhjeve në Shqipëri

Një plagosje dhe shumë blerje votash – bilanci 5 orësh i zgjedhjeve në Shqipëri

Zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë mundur të zhvillohen as 5 orë pa eksese të cilat janë të zakonshme në ditën e zgjedhjeve në Shqipëri.

Deri në mesditë kanë dalë jo më shumë se 15 për qind e votuesve ndërkohë që dy eksese të rënda janë vërtetuar të ndodhin në qendrat e votimit në Shqipëri.

Një person ka mbetur i plagosur paraditen e së dielës në Shëngjin, pasi është goditur me qytën e pistoletës.

Burime jo zyrtare nga policia thonë se shtetasi Florian Dushku është qëlluar nga persona ende të paidentifikuar me qytën e pistoletës.

Ndërkohë, kandidati i LSI-së për Lezhën, Viktor Tusha, ka thënë se ka patur një konflikt të armatosur, por pa dhënë detaje.

Ndërkohë, i kontaktuar nga Top Channel drejtori i policisë së qarkut ka deklaruar se nuk është në posedim të një informacioni të tillë.

Megjithatë, uniformat blu kanë rrethuar zonën dhe pritet që më vonë të dalin me një informacion zyrtar.

Atje kla shkuar dhe Ilir Meta, presidenti i zgjedhur, ish-kryetar i Partisë së tij.

Ndërkohë që ka pasur edhe denoncime të mëdha për blerje dhe shitje votash.

Numri i denoncimeve për rastet e dyshuara të shitblerjes së votës dhe intimidim të votuesve është shtuar, bën të ditur ministria e Brendshme.

Pranë grupeve të posaçme të ngritura në Ministrinë e Puneve te Brendshme dhe Policinë e Shtetit kanë mbërritur qindra denoncime që flasin për një fenomen në rritje të tentativave për blerje të votave.

Në këto kushte, Ministria e Punëve Brendshme iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e personave që kryejnë këtë vepër penale e cila dënohet me ligj.

“I inkurajojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo rast të tentativës për blerje të votës apo intimidime të tjera në numrin e Policisë së Shtetit 112 ku anonimiteti i denoncuesit është i sigurt dhe për raste të abuzimit të punonjësve të policisë me detyrën në numrin falas 08009090”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ndërkaq, ministri Dritan Demiraj i u bën thirrje edhe subjekteve politike që të ulin tensionet dhe të punojmë bashkërisht për një proces zgjedhor të qetë.