Portali nga Maqedonia që publikohet në gjuhën shqipe Gazeta Maqedonia, u ka bërë thirrje sot shqiptarëve në Shkup, që ta votojnë kandidatin e VMRO-DPMNE-së për kryetar të kryqytetit të Maqedonisë, Koce Trajanovski. Përmes një editoriali të publikuar të shtunën në portalin Gazetamaqedonia.com, me titullin: “Editorial: Pse shqiptarët duhet ta votojnë Koce Trajanovski?”, theksohej se për shqiptarët në Shkup do të ishte më e favorshme vota për Trajanovskin. “Para shqiptarëve më 15 tetor janë dy opsione: t’ia lënë në dorë komplet fatin e tyre Zoran Zaevit duke votuar kandidatin e tij për Kryetar të Shkupit, apo të votojnë për Koce Trajanovskin dhe të përfitojnë kështu prej të dy krahëve. Zgjidhja më e drejtë është kjo e dyta. Një për faktin se ekskluziviteti i votës së shqiptarëve nuk do të ishte në dorën e një njeriu dhe nën dy për faktin se kjo vetëm sa do ta rriste ofertën e të dy krahëve për ta joshur votuesin shqiptar”, thuhet në hyrje të këtij editoriali. Në editorialin e publikuar nga portali shqiptar, radhiten disa nga arsyet pse, sipas këtij mediumi, shqiptarët duhet ta votojnë kandidatin e partisë së Nikolla Gruevskit në kryeqytetin e Maqedonisë, raporton Insajderi.
“Trajanovski ka dëshmuar gjatë këtyre viteve se shqiptarët nuk i sheh thjeshtë si hambar votash, por si qytetarë me halle dhe probleme – të cilat kërkojnë zgjidhje. Përveç kësaj, Trajanovski me zyrtarizmin e emrit të Muhamed Ametit për Nënkryetar të qytetit, ka dhënë një prej arsyeve më të forta se pse ai duhet të votohet nga shqiptarët. Prandaj, zgjedhja e shqiptarëve të Shkupit më 15 tetor është e qartë. Është Koce Trajanovski”, shkruan Gazetamaqedonia.com.
Po ashtu, në këtë editorial, portali shqiptar nga Maqedonia akuzon kryeministrin aktual Zoran Zaev. Thotë se kreu i LSDM-së nuk po bën asgjë për shqiptarët në Maqedoni.
“Kryeministri aktual i Maqedonisë, Zoran Zaev arriti të marrë një numër të madh votash në zgjedhjet e fundit nga qytetarët shqiptarë të Maqedonisë me premtime megalomane dhe diskurs populist. Por prej që ndodhet në zyrën më të rëndësishme të shtetit, ai nuk ka bërë asgjë për shqiptarët. Përkundrazi, vazhdon t’i mashtrojë ata – jo vetëm kur është në pyetje ligji i dygjuhësisë, por edhe në emërimet e larta dhe investimet strategjike”, shkruhet në editorialin e këtij portali. /Insajderi.com