Një shëtitje e lehtë mbi përvojën e gjatë e historianit Isa Bicaj

Një shëtitje e lehtë mbi përvojën e gjatë e historianit Isa Bicaj

Zakonisht i shmangëm situatave ku idiotizmi, injoranca dhe krenaria boshe shpërfaqen dhe na paketohen në publik si vlera e parime. Megjithëse iu shmangem situatave të tilla, jam i pa fuqishëm që edhe mos i përshkruaj.

Pafuqia ime për ti rezistuar tundimit që më vjen nga skena mjerane, më bëri që ti shkruaj dy fjalë për përvojën e gjatë të historianit I. Bicaj.

I. Bicaj, i kontaktuar nga Koha Ditore, medium i cili ka ngritur dyshimin se brenda MASHT është krijuar një rrjet që po mundohen të manipulojnë në përzgjedhjen e teksteve të reja të historisë për shkollat fillore dhe të mesme, ku lakohet edhe emri i tij, ai është treguar komplet indiferent duke deklaruar: “nuk dëshiroj te merrem me këtë çështje, unë kam vlerësuar drejt dhe kam një përvojë të gjatë duke qenë dhe autor i më shumë se dhjetë teksteve shkollore të historisë”.

Ky pozicion i tij, para së gjithash të nxitë të lëvrosh pak në punën e tij, për të cilën ai mburret dhe ndërton pretendimin se është autoriteti më i mirë vlerësues i punës së të tjerëve.

Unë mora të lëvroj pak, në librin “Historia 7” me të cilin aktualisht punojnë nxënësit tanë, e ku njeri nga autorët është Isa Bicaj. Po fillojmë me radhë të themi diçka rreth librit të tij:

Librin për shkolla fillore “Historia 7” me autorë Isa Bicaj dhe Arbër Salihu, shtëpia botuese “Libri Shkollor”, e karakterizojnë disa probleme, të cilat normalisht do duhej të ishin shkaqe që ky libër të mos jetë i lejuar nga MASHT për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë. Fillimisht në aspektin pedagogjik, libri në fjalë karakterizohet nga disa zbrazëtira faktografike nga ku nxënësit nuk arrijnë ti kuptojnë drejt rrjedhat e ngjarjeve historike, ku si pasojë bëhet i pa mundur orientimi në kohë dhe hapësirë.

Edhe në aspektin kronologjik, ngjarjet që trajtohen në libër janë të ngatërruara duke u mësuar në disa raste ngjarjet më të vonshme, përpara ngjarjeve më të hershme, p.sh. fillimisht, brenda njësisë mësimor mësohet zbulimi rrugës detare për në Indi (1498), dhe më pas mësohet zbulimi i Amerikës (1492).

Problem ky i cili shkakton konfuzion te nxënësit, duke ua ngatërruar procesin në tërësi.

Një problem tjetër, po ashtu shumë i rëndësishëm, që e karakterizon librin në fjalë, është edhe edukimi i nxënësve njëanshëm dhe me doza të theksuara racizmi dhe nacionalizmi. Duke mos arritur që ti tejkalojnë klishetë pseudo nacionaliste/raciste të shekullit të kaluar, autorët në fjalë, përmes këtij teksti injektojnë tek fëmijët kulturën e përjashtimit të tjetrit dhe paraqitjen e tij si kategori inferiore.

Këto shabllone të ngurta i forcojnë stereotipat si: Ata dhe Ne, Perëndimi i qytetëruar dhe Lindja agresive dhe e prapambetur etj. Njëanshmëria, racizmi dhe nacionalizmi shfaqen më së miri tek pjesa ku trajtohet lëvizja kulturore në trevat shqiptare gjatë shek. XVI-XVIII.

Në këtë pjesë, problemi i parë që shfaqet, lidhet me trajtimin e lëvizjes kulturore dhe letrare në trevat shqiptare që përfaqësohet me Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Frang Bardhin dhe Pjetër Bogdanin, si lëvizje me karakter kombëtar, duke e injoruar kështu faktin që figurat e lartcekura iniciativën e tyre për përkthime dhe krijime të teksteve fetare në gjuhën shqipe e filluan në kuadrin e një mobilizimi pan katolik, që në histori njihet si “Kundërreformacioni Katolik”e që e ndërmori Papati për të krijuar një front sa më të gjerë dhe efektiv kundër përhapjes eventuale të protestantizmit në vende të ndryshme të Evropës, e natyrisht edhe në Gadishullin Ballkanik, dhe nga ana tjetër për të luftuar kulturalisht vendosjen e kulturës islame në Ballkan të bartur nga Perandoria Osmane. Pra trajtimi i veprës së klerikëve shqiptarë të lartcekur, si nismë nga ndjenja të pastra kombëtare, duke ia “fshehur” identitetin e tyre kryesor, atë fetar, është edhe njëanshmëri, edhe pseudo nacionalizëm. Po, efekti i asaj iniciative klerikësh, kishte efekte kombëtare mbrapa veprues, por iniciativa dhe motivet ishin të nxitura nga faktorë të jashtëm.

Njëanshmëri dhe racizëm paraqitet përsëri në kuadrin e këtij kapitulli, kur krahas klerikëve katolikë shqiptarë, nuk përmendet fare kontributi i komunitetit myslimanë shqiptarë gjatë shek. XV – XVI. P.sh: nuk trajtohen fare poetët, si Mesihi Prishtina, Jahja bej Dukagjini SuziÇelebiu etj.

Mbase edhe nuk e dinë që ekzistojnë këta emra në historinë e kulturës shqiptare, por kjo nuk i liron nga përgjegjësia, veçse ua shton edhe një dobësi tjetër në mesin e shumë të tillave,të pa ditur.
Probleme të tilla në interpretimin dhe selektimin e materialeve historike, e shoqërojnë librin në vazhdimësi, probleme këto që i privojnë fëmijët tanë të marrin kulturën e mirëfilltë kombëtare dhe qytetare për tu bërë individ të ndërgjegjshëm, nga libra të tillë që nuk plotësojnë as minimumin e kriterit për të qenë libër shkolle.

Së fundi, libri karakterizohet dhe nga gabime elementare faktografike. Me fjalë tjera, mësohen keq nxënësit tonë. Këtu po i përmendim disa prej tyre:

– Gabim: “AleksKomneninuk vdiq në vitin 1180” (fq 38). E vërteta është se perandori bizantin vdiq në vitin 1118. Në vitin 1180 ka vdekur Manuel I Komneni (1143-1180), e jo Aleks I Komneni (1081-1118)

– Gabim: Kodiku i Beratit nuk përkon me shek. XII (fq. 45). E vërteta është se ekzistojnë dy kodikë, dhe jo një. Pastaj këta kodikë përkojnë me shekujt VI dhe IX.

– Gabim: me përfundimin e Luftës së Dy Trëndafilave gjatë viteve 1455-1485, nuk erdhi në pushtet Henriku IVdhe si rrjedhojë ai i dha fund luftës dhe krijoi Dinastinë e Tudorëve (fq. 17-18). E vërteta është se, Lufta e Dy Trëndafilave përfundoi në vitin 1485/6, dhe luftës i dha fund Henriku VII, i cili kishte krushqi me Lankasterët, ndërsa vetë rridhte nga familja e Jorkëve. Kështu ky në vitin 1486 i dha fund konfliktit dhe krijoi Dinastinë e Tudorëve (1486-1603).

– Gabim: parlamenti i gjatë në Angli nuk zgjati 12 vite nga 1649 – 1660 (fq.100). E vërteta është se, pas një kohe qeverisje pa parlament në Angli, nga viti 1629-1640, Karli I (1625-1649) nga presioni i kryengritjes skoceze u detyrua ta thërriste përsëri parlamentin që ti kthehej punës, e cila zgjati me ndërprerje të vogla 21 vite, nga viti 1640 deri në vitin 1660, dhe në histori njihet si “Parlamenti i Gjatë”

Këto e shumë gabime të tjera faktografike, së bashku me ato në interpretime, zbrazëtira ne shpjegime dhe renditje të ngjarjeve, e përmbushin tablonë e një libri të dobët, me të cilin fëmijët tonë kanë mësuar që nga viti 2012. E kjo është puna “profesionale” dhe përvoja e gjatë e historianit tonë me vetëbesim të madh. Ky historian, të cilit i mungojnë njohuritë elementare, sot është i përzgjedhuri nga MASHT për ti vlerësuar tekstet e reje të historisë.

Në fund, e gjitha kjo situate tragjikomike ta kujton atë shprehjen e famshme të ThomasFuller-it: “në procesin e gjykimit të shpezëve, dhelpra nuk duhet të jetë pjesë e jurisë”, e në rastin tonë, dhelpra lere që është pjesë e jurisë, por paraqitet edhe si luan. Pra fjala e fundit e vlerësimit.