Një tjetër gjysmëvjetor rrezikon të fillojë me greva

Sindikata e arsimit mund t’i çojë përsëri mësimdhënësit në grevë, meqë kërkesa e tyre për kontratë kolektive vazhdon të mos nënshkruhet. As rritja e rrogave – diçka që kërkohet vazhdimisht – nuk ka ndodhur. Nga Ministria e Arsimit ankohen se s’ka buxhet. Një kërkesë kryeministrit ia kanë bërë për fonde shtesë, por njëjtë si fondet mungon edhe përgjigja.

Një tjetër gjysmëvjetor rrezikon të fillojë me greva

Me vendim të Ministrisë së Arsimit, gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2020/21 do të nis të hënën, ndonëse ka pasur dilema për shkak të “kërcënimeve” të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit se do të mbajnë grevë.

Nga kjo sindikatë thonë se i kanë dhënë afat edhe një javë qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, që të shqyrtojnë kërkesat e tyre, atë për shtesa në pagë për punëtorët e këtij sektori dhe nënshkrimin e kontratës kolektive.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut ka thënë për Gazetën Online Insajderi se kanë filluar shpërndarjen e formularëve nëpër shkolla për të gjithë punëtorët e arsimit që të deklarohen pro apo kundër grevës, në rast se nuk realizohen kërkesat e tyre.

Ai deklaroi se janë në pritje të nënshkrimit të kontratës kolektive nga ministri i Arsimit, Ramë Likaj, dhe se për të parandaluar grevën, do të vazhdojnë me dialog.

“SBASHK-u me kohë ka alarmuar edhe kryeministrin Hoti duke i dërguar një shkresë zyrtare. Edhe te Hoti edhe te ministri Likaj i kemi paraqitur dy kërkesa tona”, ka pohuar Jasharaj, duke shtuar se tashmë kanë arritur pajtueshmëri me Ministrinë e Arsimit për versionin final të kontratës kolektive.

Por, ajo ende nuk është nënshkruar, prandaj ai thotë se “do të vazhdojmë edhe për një kohë të shkurtër me dialog që të mos shkojmë me grevë”.

“Por, nëse dialogu nuk jep rezultate atëherë le ta dinë institucionet se së shpejti mund të ketë veprime sindikale”.

Jasharaj shtoi se shpreson që në fillim të javës së ardhshme do të marrin përgjigje nga ministri Likaj.

“Ne do të presim deri javën tjetër dhe besojmë e shpresojmë se në fillim të javës do të marrim përgjigje pozitive nga ministri Likaj, i cili na ka kërkuar pak hapësirë për ta shqyrtuar kërkesën për kontratë kolektive”.

“Nëse punëtorët e arsimit deklarohen se e mbështetin vendimin për grevë, atëherë do veprojmë sipas zërit të tyre, por nëse ata janë kundër ne sërish do të veprojmë sipas zërit të anëtarësisë sonë sepse nuk veprojmë kokë në vete”, tha tutje i pari i SBASHK-ut.

Nga Ministria e Arsimit në një përgjigje për Insajderin e pranojnë se janë duke i shqyrtuar kërkesat e SBASHK-ut, megjithatë thonë se “mundësitë financiare ndryshojnë karshi kërkesave”.

“Sidomos pas gjendjes ekonomike të krijuar nga pandemia COVID-19 dhe shkurtimeve buxhetore”, ka thënë Diellza Kukaj, këshilltare e ministrit të Arsimit.

Këtë situatë të pamundësisë buxhetore, MASH-ti po mundohet ta zgjidhë me një kërkesë drejtuar qeverisë për fonde shtesë, por ende s’kanë marrë përgjigje.

Mësimi do të fillojë me prezencë fizike në objektet shkollore, por që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se do të mbesin në funksion edhe skenarët e tjerë, që janë përdorur që nga fillimi i pandemisë./Insajderi.com