Kur me 16 nëntor 2013 Qeveria e Prishtinës dhe ajo e Tiranës u nisën drejt Prizrenit për tu takuar në atë që njihej si ngjarje historike e shqiptarëve, mbledhja e parë e dy Qeverive, bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë tashmë kishte kaluar nëpër shumë sfida.
Një takim i tillë, mbledhje e përbashkët e të dy Qeverive trumbetohej si mënyra e vetme dhe përfundimtare që ekonomitë e të dy vendeve të funksiononin si një, duke mos pasur asnjë pengesë.
Kjo mbledhje do të ishte një lajm i mirë edhe për prodhuesit e patateve në Kosovë të cilët tashmë kishin vite që po përballeshin me një pengesë dogane nga ana e Shqipërisë që kishte ngjallur jo pak debat.
Gjithçka kishte filluar në vitin 2009 kur Shqipëria vendosi referencën tregtare ndaj prodhimeve kosovare që ishte tri herë më e lartë sesa referenca doganore që Serbia kishte vendosur ndaj këtij produkti të prodhuar edhe në Kosovë.
E për këtë referencë doganore ka pasur përplasje të mëdha mes dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, që nga viti 2009.
Fillimisht, referenca doganore për pataten kosovarë në Doganën e Shqipërisë ishte 0.24 cent, gjë që ia bënte pothuajse të pamundur prodhuesve kosovare konkurrimin në tregun shqiptar, raporton Insajderi.
Kjo referencë ishte ulur tek në vitin 2012, kur pas një debati të gjatë, Ministria e Tregtisë së Shqipërisë kishte konfirmuar se çmimi i referencës për patatet kosovare ishte rikthyer në atë të mëparshmën, 18 cent.
Nga referenca prej 24 centëve, ajo ishte ulur në 18 cent, raporton Insajderi.
Pikërisht për referencën doganore të Shqipërisë të vendosur ndaj Kosovës, ish-ministrja e Tregtisë në Kosovë, Mimoza Kusari-Lila kishte vendosur të “bllokojë” përkohësisht hyrjen e çimentos së Shqipërisë në Kosovë, në qershor të vitit 2012.
Sipas saj, kompanitë që e importojnë nga vendi ynë këtë mall, lëndë të parë të rëndësishme për sektorin e ndërtimit, duhej të paguanin një tarifë prej 35% të vlerës së importuar dhe kjo bëhet për të mbrojtur prodhimin e vendit.
Kjo çështje tashmë ishte harruar kur dy Qeveritë ajo e Shqipërisë dhe Kosovës, kishin vendosur të takoheshin edhe një herë në një mbledhje të përbashkët.
Ishte 23 marsi i vitit 2015, kur të dy Qeveritë u takuar sërish në një mbledhje e cila pati edhe një moto “Një tokë, Një Popull, Një Ëndërr” .
Por as kjo mbledhje nuk e ka zgjidhur këtë problem. Dy vite pas kësaj mbledhje të përbashkët, të dytës, Shqipëria e riktheu vendimin e saj për prodhuesit kosovar të patates që duan të eksportojnë në Shqipëri.
Dogana e Shqipërisë ka vendosur të shtunën e korrikut 2017, që referenca tregtare për prodhimet kosovare të rritet. Këtë e kanë bërë të ditur përmes një njoftimi përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës.
“Sot, në Odën Ekonomike të Kosovës qëndroi një grup i fermerëve dhe prodhuesve kosovarë që merren ekskluzivisht me prodhimin e qepëve dhe patateve ku shprehën shqetësimin e tyre për vështirësitë e eksportit të prodhimeve ‘Made in Kosova’ në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.
Këta prodhues, sipas OEK, janë ballafaquar me këto problem edhe në të kaluarën por gjithnjë duke menduar se këto sfida i takojnë të kaluarës pasi që janë organizuar debate të shumta dhe takime, qoftë në nivel të presidentëve apo edhe ministrave por problemet për bashkëpunim me Shqipërinë vazhdojnë edhe më tutje.
“Doganat e Shqipërisë kanë vendosur një rregull të ri, ku për patatet dhe qepët e Kosovës të rritet referenca tregtare nga 0.14 në 0.18 Euro, që nënkupton një pamundësi konkurruese në tregun e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e OEK.
Kjo tashmë ka ngjallur reagime në Kosovë, përpos prodhuesve të patates.
Është rikthyer tema e reciprocitetit. Së paku dy ministra kanë paraljmëruar masë të njejtë për prodhuesit nga Shqipëria që eksportojnë në Kosovë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka kërkuar zyrtarisht nga Qeveria e Shqipërisë të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara me Kosovës dhe të heqë çmimin referent për pataten kosovare.
Në një reagim, Bajrami ka thënë se do të jenë të obliguar të veprojnë njësoj ndaj produkteve të Shqipërisë nëse Tirana nuk e heq çmimin referent të vendosur për pataten e Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë marrëveshje të nënshkruara dhe duhet të zbatohen pasi në të kundërtën humbet arsye e këtyre dokumenteve që kanë firmat e Kryeministrave të dy vendeve”, ka shkruar Bajrami.
Para saj, reagoi edhe ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se “vendosja nga ana e Qeverisë së Shqipërisë të çmimit referent prej 0.19 euro për patatet nga Kosova që eksportohen në Shqipëri po i dëmton rëndë prodhuesit kosovarë”.
“Kjo politikë e qeverisë shqiptare nuk i ndihmon unifikimit të tregut mbarëshqiptar”, ka shtuar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.
Por problemi i prodhuesve të patates në Kosovë duket se nuk do të zgjidhet me deklarata, teksa planet për një mbledhje të tretë mes dy Qeverive ende nuk janë folur./Insajderi.