Aksioni policor Gjermani-Kosovë: Sekuestrohen Porsche, shtëpi luksoze, orë Rolex e Armani

Aksioni policor Gjermani-Kosovë: Sekuestrohen Porsche, shtëpi luksoze, orë Rolex e Armani

Një veturë e markës Porsche, rreth 6 mijë euro dhe ora Rolex e Armani janë sekuestruar në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Gjermanisë në rajonet e Prishtinës dhe Ferizajt të martën.

Në operacionin ku morën pjesë edhe një prokuror nga Landi i Saarland-it në Gjermani dhe një prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, u sekuestruan edhe një motoçikletë Yamaha dhe 63 “foldera” me dokumentacione të ndryshme, njoftoi Policia e Kosovës të martën mbrëma.

“Bastisjet  janë  kryer  në  qytetin e  Prishtinës  në (2) dy lokacione, ndërsa  në  qytetin  e  Ferizajt në  (4) katër lokacione. Gjatë  këtij  operacioni policor  janë  sekuestruar: 63/foldera  me  dokumentacione të ndryshme  në  lidhje  me aktivitetin e bizneseve  të një kompanie. Janë  konfiskuar  një  numër  i madhe  i  hard-disqeve të  kompjuterëve, USB dhe pajisjeve tjera  elektronike të  cilat  ekspertët e  fushës  i kanë  konsideruar  të  nevojshme  për  t’u ekzaminuar”, ka njoftuar Policia.

Operacioni i përbashkët i policive gjermane dhe kosovare kishte qëllim gjetjen e dëshmive për kryerjen e veprës penale “Pastrim të Parave”.

Prokuroria gjermane dyshon se qendrat e thirrjeve “Call Center” në Kosovë, përmes veprimtarisë së tyre, kanë shkelur Kodin Penal Gjerman, tha të martën Prokuroria Speciale e Kosovës në një njoftim për media.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se në bazë të kërkesës për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare, Prokuroria Gjermane e Landit Saarland, bashkarisht me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, janë duke kryer bastisje në disa qendra të quajtura “Call center” në qytetin e Prishtinës dhe të Ferizajt”, ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës. /Insajderi.com