Një vit nga arrestimi i Nezir Mehmetajt në Serbi, familjarët shpresojnë për lirim brenda këtij muaji

Një vit nga arrestimi i Nezir Mehmetajt në Serbi, familjarët shpresojnë për lirim brenda këtij muaji

Ka kaluar një vit që kur Nezir Mehmetaj është arrestuar në Merdare, derisa po e dërgonte nënën e tij për shërim në Nish të Serbisë, transmeton Insajderi.

Mehmetaj u arrestua nën dyshimet për krime lufte. Për këto dyshime, gjykata serbe i kishte caktuar atij paraburgim.

Vëllau i Nezirit, Valoni thotë se vazhdimisht kanë marrë premtime, por se edhe më tej nuk po i caktohet seancë gjyqësore, ndërsa shton se ai po mbahet padrejtësisht në burg.

“Si zakonisht premtime kemi pas gjithmonë, por seanca gjyqësore nuk po caktohet. Prej institucioneve të vendit nuk kemi fare mbështetje, nuk ka asgjë konktete”, ka thënë ai për IndeksOnline.

“Si familje ne nuk jemi ndalë për asnjë moment, jemi duke shqyrtuar variante të ndryshme për me përshpejtu procedurën, pasi nuk po i caktohet seancë gjyqësore. Avokati veçse e ka përgatitë lëndën komplet por çështja është tek prokurori”, theksoi tutje ai.

Valoni thotë se e kanë të vështirë pasi që nuk u lejohet as kontakti me të.

“Ne jemi në atë pozitë që kurgjo nuk na doket mirë, ne s’kemi as festë derisa ai është aty brenda. As nuk na lejohet kontakt. Ne nuk mundemi me shku me vizitu pasi që mundet e njëjta me na ndodhë neve, me na arrestu”, ka thënë tutje ai.

Ai thotë se kanë shpresa që seancë do t’i caktohet brenda këtij muaji, dhë vëllau i tij Neziri të lihet i lirë. /Insajderi.com