Një vit nga data kur Kuvendi ia mori pushtetin Kurtit

Një vit nga data kur Kuvendi ia mori pushtetin Kurtit

“Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme”.

Kështu e përshkroi Albin Kurti rënien e Qeverisë së tij më 25 mars të vitit 2020.

Sot një vit, 82 deputetë ngritën duart për t’ia marrë detyrën e kreut të ekzekutivit, Albin Kurtit – liderit të Lëvizjes Vetëvendosje – i cili veç kishte filluar përpjekjen për “ngritjen e nevojshme”, e cila ndodhi një vit më vonë. Tash.

Mocioni i mosbesimit ishte iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përkrahur nga e gjithë opozita dhe deputetët e komuniteteve joshumicë.

“Era e mocionit” u dëgjua para se të ekzekutohet. Isa Mustafa deklaronte se Albin Kurti “rrezikon” raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Moll sherri”, ishte bërë taksa me Serbinë që emisari i atëhershëm amerikan për dialogun, Richard Grenell, kërkonte të largohet pa kushte.

Kurti, kishte një kusht; Reciprociteti me Serbinë, të cilin e kishte premtuar gjatë fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Pos taksës, në Kosovë ishin paraqitur rastet e para të COVID-19.

Presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, kërkoi të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

Një ide të tillë e kishte mbështetur, Agim Veliu, që në Qeverinë Kurti iu dha përgjegjësia e punëve të brendshme.

“Po sigurisht”, ishte një përgjigje e Veliut, kur u pyet për opsionin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Kjo i kushtoi me shkarkim, një shkarkim që nuk mbaroi vetëm me Veliun – shkarkoi gjithë Qeverinë.

“Ju nuk jeni mbledhur për taksën, por që ta rrëzoni Qeverinë”, thoshte Kurti pak orë para që t’i merret pushteti që e kishte synuar për 10 vite.

Me këtë rrëzim qeverie nuk ishte pajtuar assesi, Vjosa Osmani – kishte mbajtur një fjalim në Kuvend.

Nga ai fjalim, rruga po dukej e qartë. Një aleancë Albin Kurti e Vjosa Osmani.

Të dy garuan bashkë në zgjedhjet e 14 shkurtit, madje fituan mbi  50 përqind të votave.

Zgjedhjet u mundësuan pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi Qeverinë Hoti.

Avdullah Hoti kishte marrë pushtetin, pasi në maj Gjykata Kushtetuese i dha mundësi shumicës parlamentare që t’i formojë institucionet.

Kurti nuk ishte pajtuar me vendimin. Nuk e pranonte Qeverinë – e cilësonte “jashtëligjshme”.

Kishte qëndruar një vit pa pushtet. Teksa në qeveri u rikthye më 22 mars – tri ditë para që të kujtohet një vjetori i rrëzimit të Qeverisë. /Insajderi.com