Një vit nga kidnapimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq

Një vit nga kidnapimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq

Sot është bërë një vit, qëkur gjashtë shtetas turq u rrëmbyen nga autoritetet kosovare në një operacion të organizuar e u deportuan për në Turqi. Megjithatë, Prokuroria Speciale e Kosovës ende nuk ka ngritur aktakuzë për ndonjë person. Tashmë dihen rreth 31 shkelje të cilat janë bërë publike edhe nga Komisioni Parlamentar për hetim të rastit të gylenistëve që ishte formuar në Kuvend.

Policia e Kosovës vitin e kaluar  kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, dhe një mjek.

Indoks ka realizuar një dokumentar ‘ 6 kurbanë për Sulltanin Erdogan” për gjashtë shtetas turq të  kidnapuar nga Kosova nga një operacion i shërbimit inteligjent kosovar që po sillej si “Gestapo” 6 shtetas turq përfunduan në burgjet e regjimit të Recep Tayyip Erdoğan.

Akuzohen për terrorizëm atje, si pjesë e organizatës ‘Feto’. Në Kosovë u konsideruan të rrezikshëm për sigurinë nacionale

Derisa për Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina është përgatitur aktakuzë nga Byroja e Terrorizmit dhe Krimeve të Organizuara e Prokurorisë Republikane të Stambollit, autoritetet e vendit kanë dështuar që të akuzojnë ata persona që qëndrojnë prapa atij organizimi.

Për këtë presion dhe angazhim më të madh të organeve të ndjekjes për të zbardhur të vërtetën lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Prishtinë, që u pasua edhe nga reagimet e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe asaj të Gjermanisë.

Pas incidentit që ndodhi më 29 mars 2018, kryeministri Ramush Haradinaj pati liruar nga detyra Driton Gashin, atëkohë shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, të cilët, më pas kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.