Baton Haxhiu
Ditën kur filluan bombardimet në Kosovë me 1999, një njeri dhe një parti ka bërë më shumë punë se sa NATO me bombardimet e saja.
Ajo është Partia demokratike Shqiptare e Arbën Xhaferit dhe Menduh Thaçit. Natyrisht, edhe familjet e shumta dhe çdo shqiptar në Maqedoni (Veriore) mban peshën e krenarisë për lirinë e Kosovës.
Menduh Thaçi, dhe stafi i tij kishin shije dheu në atë kohë dhe lodhje deri në eshtra për shkak të netëve pa gjumë, dhe bënin çmos për të strehuar çdo banorë të larguar nga Kosova; njëkohësisht, për ta mbajtur gjallë frymën e kthimit në Kosovën që pritej të çlirohej.
Për tre muaj ata vendosën frymën e lirisë në kampe dhe shpresën e kthimit të refugjatëve të cilët ishin strehuar në çdo shtëpi të shqiptarëve të Maqedonisë.
Por, Menduhit dhe PDSh-së nëse nuk ia morën vizionin nga dora për Rilindjen e shqiptarëve atje, në një mënyrë tjetër ata që i strehoi dhe që i bëri të jetojnë të lirë në Kosovën e lirë, iu dha të drejtën t’ia marrin jetën politike nga duart dhe ua dhanë të tjerëve për të nisur një aventure politike.
Kjo zgjati gati dy dekada.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë shumë me vlerë për t’u qeverisur në këtë mënyrë; nënshtruar kësaj fryme apo mbetur në duar të kësaj lloj politike.
Të thonë bash ç’të donë tani militantët e dështimit për një shoqëri të barabartë, tregon për të vërtetën e dhimbshme të një qeverie që ka treguar se nuk ka asnjë parim.
Menduh Thaçi nuk i ka sjellë Maqedonisë së Veriut lojëra ditore politike, por një politikë të mirëfilltë kombëtare.
Këtë të fundit, ndërkaq, e ka kuptuar gjithmonë drejt në marrëdhënie me ShBA-në dhe BE-në.
Për të realizuar këtë vizion, ai ka dëshmuar se ka guximin e mjaftueshëm për t’i bërë gjithë lëvizjet e nevojshme. Menduh Thaçi e ka lënë pushtetin me Gruevskin kur ai e ka rrezikuar të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut dhe është bërë pjesë e marrëveshjes për qeverisje me Zaevin pikërisht për ta siguruar stabilitetin pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës.
Përderisa një pjesë e madhe e publikut këto i ka parë si dobësi politike ose lakmi personale të Menduh Thaçit, kjo dëshmon pikërisht konsistencën e tij për të ruajtur drejtimin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut. Çështja kombëtare e shqiptarëve është e pakonceptueshme pa të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.
Prandaj Thaçi ka vepruar në këtë lloj forme, qoftë ajo në dukje jo popullore, paçka se për popullin ka qenë. Por, Menduhi nuk e ka dashur asnjëherë pozicionin e paqartësisë që shkakton ndjekja e pozicioneve populiste – përkundër se nganjëherë është konvenuese.
Por, politikanët shqiptarë, kudo që kërkojnë votë shqiptare janë përballur me një paqartësi veprimi nëse kanë shikuar të jenë populist. Kjo në fakt është e keqja e pashmangshme e populizmit. Si populist ti duhet të përcjellësh dispononim e masës, ta marrësh atë, ta përpunosh, kanalizosh dhe t’ua kthesh si ofertën tënde për ta – një ofertë mashtrimi megjithatë, por ofertë fituese.
Kur masës t’i ndryshojë ideja, e cila për shkak se është e saj, është dubioze, duhet të rikrijosh një tjetër mesazh, përsëri mashtrues, për ta kënaqur apetitin (nganjëherë) jo racional të njerëzve që ua kërkon votën. Kështu rikrijon vetën vazhdimisht, derisa ta humbësh. Tëhuajsohesh në një dëshirë që vazhdimisht ndryshon. Të tillët në këto treva kanë fituar vota dhe vazhdojnë ta bëjnë. Por të tillët fitoren e votës e kanë qëllim në vetvete, jo mjet për të realizuar më pas qëllime. Menduh Thaçi e ka kuptuar këtë, por ka refuzuar ta aplikojë. Prandaj, edhe është ndëshkuar jo si pasojë e politikave të “këqija”, por si refuzim për të bërë të tilla. Keqkuptimi është mallkimi i politikanit dhe fati i tij njëkohësisht. Disa me ide të qarta i godet paqartësia e masës si mallkim – disa e kanë fat sepse paqartësia e qëllimshme përhumbet në keqkuptimin tashmë ekzistues të masës.
Prandaj, Menduh Thaçi nuk ka bërë garë për Kryeministër shqiptar, jo pse nuk zhvillon politika ambicioze, po sepse bën politikë realiste. BDI për 20 vite ka dëshmuar se shfrytëzon çështjen e shqiptareve në varësi te interesave partiake. Nga fillimi i luftës kur proklamuan çlirimin e shqiptarëve të Maqedonisë, janë dashur pothuajse 20 vjet për të kaluar Ligji për Gjuhët! Çfarë çlirimi ne thelb është ky?
Sot, ndërkaq, pas problemeve të mëdha që kanë pasur me zbatimin e politikave të integrimit të shqiptarëve, ata e dinë fare mirë se u duhet një slogan bombastik për ta mobilizuar elektoratin shqiptar. Sidoqoftë, duket fare qartë se kërkesa e BDI-së është e pazbatueshme. Programi i Menduh Thaçit, ndërkaq, duket më modest, sepse ai garon thjeshte si zv. Kryeministër por në thelb është shumë më kuptimplotë.
Pse?
Si zv. Kryeministër Thaçi do të ndryshojë rregulloren e Qeverisë për të siguruar se kalimi i buxhetit në Kuvend duhet të shkojë edhe nëpërmes nënshkrimit të zv.Kryeministrit. Praktikisht kjo nënkupton se shqiptarët do ta kenë të drejtën e Vetos sa i përket buxhetit. Me fjalë të tjera, kjo do të mundësojë jo thjesht një emër shqiptar në postin e zv.Kryeministrit, por një zv.Kryeministër që do të mundësojë shpërndarjen proporcionale të buxhetit. Përtej të drejtave themelore, shqiptarët sot duhet të insistojnë edhe në shpërndarjen e barabartë sipas përkatësisë kombëtare.
Mjafton ta krahasosh Tetovën me Manastirin për nga numri i popullsisë dhe për nga shkalla e përfitimit ekonomik për ta parë se komunat shqiptare në Maqedoni janë ende të diskriminuara etnikisht. Thaçi, ndërkaq, e ka përcaktuar qartë edhe detyrën institucionale edhe artikuluar nevojën e ri-përkufizimit të brendshëm të Maqedonisë në baza ekonomike.
PDSH ka rol të padiskutueshëm historik në artikulimin e projektit të demokracisë multietnike dhe konsensuale në Maqedoninë e Veriut. Kjo ide e vjetër e Arbën Xhaferit, natyrisht, duhet të kontekstualizohet në rrethanat e sotme.
Sot për sot, ky projekt mund të realizohet nga Menduh Thaçi në dy faza: faza e pare është zv. Kryeministri shqiptar me të drejta të Vetos në politika ekonomike dhe faza e dytë është krijimi gradual i Kuvendit me dy dhoma etnike. Kjo do të mundësojë ekuilibrimin e brendshëm ndër-etnik të Maqedonisë.
Përderisa, ta zëmë, në dhomën qytetare mund të zhvillohen politika që prekin të gjithë qytetarët njësojë siç është puna e cilësisë së ajrit a pastërtisë së mjedisit. Temat qe prekin çështje me karakter etnik a politik duhet të kalojnë në dhomën përkatëse të këtij parlamenti.
Kjo ide e Menduh Thaçit është fort e rëndësishme për transformimin e Maqedonisë në një periudhë afat-gjatë dhe mbase e vetmja mënyrë për ta siguruar balancën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
Kurse Vetëvendosje duke mbështetur Zijadin Selen nuk është duke mbështetur thjeshte një kandidat të veçantë shqiptar, por është duke zhvilluar gradualisht projektin e marrjes së pushtetit në Maqedoninë e Veriut. Kjo mbështetje vjen pak ditë pasi ata kanë deklaruar se do ta hapin qendrën në Maqedoninë e Veriut.
Çka po ndodhë realisht?
Ata e dinë se BDI mund të fitojë vetëm edhe këtë radhe, por tendenca politike e shqiptarëve është kah partitë tjera dhe figurat e pa-konsumuara.
VV llogarit që duke u infiltruar në strukturat e Selës dhe duke sjellur frymën e bashkimit e nacionalizmit në Maqedoni do të krijon një narrativë që do të sjellë mobilizimin e nevojshëm të shqiptarëve në zgjedhjet e pas katër vjetëve.
Kësisoj, ajo nuk do të ketë nevojë të filloj nga 0 (zero), por do të shfrytëzojë një infrastrukturë të gatshme elektorale për ta përcaktuar pushtetin e Maqedonisë së Veriut pas katër vjetësh.
Në këtë kuptim, mbështetja për Zijadin Selen sot nuk ka lidhje me procesin e tanishëm zgjedhor, por edhe një investim për zgjedhjet e ardhshme ku VV do ta shtrijë ndikimin politik duke përcaktuar edhe rrjedhat e rregullimit të pushtetit në Maqedoninë e Veriut.
Prandaj, të votohet për këdo qe nuk është vetvetja dhe për dikë që s’ka të ardhme është humbje kohe.
Një votë më shumë për PDSh-në dhe Menduhin i bënë shqiptarët ta rilindin shpresën. Sepse ai e mban fjalën.
Kujtojeni vetëm kohen kur PDSh-ja e largoi shqiptarin jugosllav nga politika e ndikimit. Kujtojeni PDSh-në në betejat e barabarta (për herë të parë në Maqedoni) duke e kthyer intelektualen në përballje publike e jo ikjen me turp dhe frikë në periferi të jetës (lexo: qenies) së shqiptarit të zakonshëm.
Asgjë nuk është njëlloj më në Maqedoni, që nga koha kur Arbëni dhe Menduhi kthyen lirinë dhe betejën publike në Maqedoni.
Mos humbni kohë më. Se koha është gjithçka. Është jeta juaj. Kthejeni edhe një herë kohën në PDSH.
Në këto zgjedhje në Maqedoninë e Veriut, ka edhe kandidatë e parti të tjera që garojnë e që nuk kanë strukturë të fortë, as ide e vizion të qartë dhe herë pas here si mungesë e tyre, i kanë shërbyer BDI-së. Shqiptarët e Maqedonisë, pas anëtarësimit në NATO do të duhej që nga këto zgjedhje me votën e tyre, të mandatojnë një strukturë politike dhe një lider me takat të fortë që të rrumbullaksojnë aspiratat e tyre historike në Maqedoni dhe barazi juridiko-kushtetuese që do të thotë: parlamentin dydhomësh dhe integrimin e plotë në BE.
Insajderi.com