Dy shtëpi banimi në fshatin Carrallukë të Malishevës janë përfshirë nga zjarri gjatë ditës së sotme, transmeton Insajderi.
Në përpjekje për të shuar zjarrin, lëndime të lehta trupore ka marrë një zjarrfikës.
Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graisha.
Ai ka thënë se shkaktar i zjarrit dyshohet të jetë lidhja e shkurtër e krijuar nga kontakti i telave të rrymës në afërsi të njërës nga shtëpitë e djegura, ndërsa ka shtuar se dëmet materiale janë të mëdha.
“Rreth orës 09:30 policia në Malishevë është njoftuar për një zjarr që kishte kapluar dy shtëpi banimi në fshatin Carrallukë. Njësitet policore bashkë me zjarrëfikësit i janë përgjigj vendit të ngjarjes. Për shkak të shqetësimit të një personi të moshuar, në vendngjarje është ftuar edhe një autoambulancë. Ndërkohë, në përpjekje për të shuar zjarrin, lëndime të lehta ka pësuar një zjarrëfikës. Persona tjerë të lënduar nuk ka, dëmet materiale janë të mëdha ndërsa shkaktari i zjarrit dyshohet të jetë lidhja e shkurtër e krijuar nga kontakti i telave të rrymës në afërsi të njërës nga shtëpitë e djegura’, ka deklaruar Graishta. /Insajderi.com