Njëra nga vajzat që u sulmua fizikisht në Prishtinë: Donte favore seksuale në dhomën e masazhit

Njëra nga vajzat që u sulmua fizikisht në Prishtinë: Donte favore seksuale në dhomën e masazhit

Njëra nga tri vajzat që u sulmuan fizikisht të mërkurën nga një burrë në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë ka thënë se gjithçka ka nisur pasi ai ka kërkuar favore seksuale në dhomën brenda qendrës së masazhit ku ajo punon, përcjell Insajderi.com.

Ajo bëri të ditur se ai kishte qenë klient dhe se është hera e tretë që kishte shkuar aty.

“Është klient i masazhës dhe është hera e dytë ose e tretë që vjen këtu. Konflikti ka nisur për shkak se ka kërkuar favore seksuale brenda në dhomë. Nuk i kena ofruar shërbime të tjera. Pagesën për masazh e ka bërë shoku i tij dhe jo ai. Në fund ka kërkuar me iu kthy pagesa për shkak që nuk ka marrë favore seksuale, pas një ore që ka bërë masazh”, ka thënë ajo për Klan Kosovën.

Tutje, viktima ka deklaruar se personi që i ka sulmuar iu kishte ofruar paraprakisht para që të dalin me të, por sipas saj, ajo dhe vajzat tjera nuk kishin pranuar një gjë të tillë.

Ajo shtoi se pas refuzimit të parave, sulmuesi i kishte kërcënuar, teksa thotë se ato ishin duke u përpjekur t’i fotografojnë targat e veturës së tij në momentin kur u sulmuan fizikisht.

“Kur ka dal na ka kërcënuar për me dal me to. Na ka kërcënuar për me shku me to jashtë. Na ka kërcënuar që na i publikon videot që na i ka bo me telefon të vetin. Mua më pengon kjo përderisa familjet tona nuk e dinë që punojmë këtu. Debati ka filluar kur na ka ofruar pare që na me dal me të. Na e kena refuzu edhe nuk kena pranu. Ka ardh puna që na ka prit në kerr. Ne kemi dasht me ja marrë tabelat e kerrit për me e lajmëru në polici edhe kjo është arsyeja që e kena inçizu. Masanej ka ardh puna që ka dalë prej kerrit edhe na ka sulmu. Janë konë edhe dy persona të tjerë me to – drejtuesi i mjetit edhe një shok i tij që e ka ndihmu me u largu prej vendit”, shtoi ajo.

Viktima ka deklaruar se rastin e kishin lajmëruar menjëherë në polici, por që thotë se ata kanë dalë në vendin e ngjarjes por nuk kanë arritur ta zënë personin në fjalë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur sot se kanë arrestuar të dyshuarin L.V., dhe i cili është dërguar për mbajtje prej 48 orësh.

Të enjten, në rrjetin social Facebook është publikuar një video ku shihet se i dyshuari sulmon fizikisht me një mjet të fortë tri vajza.

Në video shihet se njëra nga vajzat rrëzohet në tokë, pastaj në ndihmë i vijnë të tjerat, teksa kur nisë të sulmohet nga vajzat e tjera, sulmuesi largohet duke vrapuar nga vendi i ngjarjes./Insajderi.com