Njëri vëlla i Avni Arifit bëhet zv/ministër i Tregtisë, tjetri udhëheq kompani të madhe tregtare

Njëri prej vëllezërve të Avni Arifit, shefit të kabinetit të kryeministrit Haradinaj, Fadil Arifi u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Tregtisë. Ndërkohë që vëllua tjetër i tij, Arbeni, ka në pronësi një kompani të madhe tregtare.

Njëri vëlla i Avni Arifit bëhet zv/ministër i Tregtisë, tjetri udhëheq kompani të madhe tregtare

Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj, që ka mbushur 100 ditë, ka arritur të emëroj edhe zëvendësministrin e 70-të.

I fundit u dërgua në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Bëhet fjalë për Fadil Arifin, vëllaun e shefit të kabinetit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifin.

Derisa dy vëllezërit Avni dhe Fadil Arifi janë pjesë e qeverisë, vëllau tjetër i tyre ka në ka në pronësi një kompani të madhe tregtare, shkruan Insajderi.

Arben Arifi është pronarë i kompanisë “ERC Trade”.

Kjo kompani që u krijua në vitin 2003, sipas shënimeve në faqen zyrtare të saj, është përfaqësuese e kompanisë sllovene “ISKRA” në Kosovë e po ashtu tregton pastën e dhëmbëve Colgate , shamponin “Palmolive”, deterxhentin “Ajax”.

Po ashtu ajo është përfaqësuese e kompanive si “Belux”, “Lariplast”, “Tomil”, “Rollopack”, “Lusso”,  “Casalini” e “Pochista”.

Daut Haradinaj, në vitin 2012, sa ishte deputet i Kuvendit, zyrtarisht figuronte si Këshilltar i Jashtëm i “ERC Trade” së Arben Arifit.

Në një shkrim të publikuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, në korrik të 2012-ës, Haradinaj pati thënë se nuk ka qenë kurrë pronar aksionesh në këtë kompani, por se ishte vetëm nëpunës i saj.

“Aty jam vetëm Këshilltar i Jashtëm për shkak se Arbenit, i cili është vëlla i Avni Arifit (ish-këshilltar në Qeverinë e Ramush Haradinajt), i duhet një njeri me autoritet. Për shkak të autoritetit dhe respektit që kanë njerëzit për mua, mund t’i ndihmojë atij në biznes”, ka thënë Haradinaj për Gazetën Jeta në Kosovë./Insajderi.com