Njeriu i PDK-së dhe Thaçit zgjedhet drejtor i RTK-së

Njeriu i PDK-së dhe Thaçit zgjedhet drejtor i RTK-së

Ngadhnjim Kastrati, njeriu i presidentit, Hashim Thaçi, ka marrë votat e 6 anëtarëve të bordit nga 7 që ishin të pranishëm për t’u zgjedhur drejtor i ri i RTK-së.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, bordi ka kërkuar interpretim ligjor për shkak të paqartësive në ligj.

“Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) duke u bazuar në nenin 30 pika 7 të Ligjit për RTK-në sot ka votuar në mënyrë të hapur për kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm. Kandidati i parë ka marrë 6 vota për dhe një kundër”, ka thënë Afërdita Maliqi, kryetare e Bordit të RTK-së.

“Bazuar në nenin 30, pika 4, ku thotë se ‘kuorumi mbledhjeve të Bordit është gjashtë (6) anëtarë’, dhe meqenëse neni 32.3 i Ligjit për RTK-në është i paqartë rreth cilësimit të 2/3 të anëtarëve, Bordi ka vendosur që të kërkojë interpretim ligjor për këtë nen. Pas marrjes së interpretimit ligjor, Bordi do ta konstatojë gjendjen”, tha Maliqi për Transmetuesin Publik.

Maliqi në koordinim me deputetin Milaim Zeka, ia ka dalur ta bëjnë Kastratin drejtor të RTK-së.

Zeka, nga cilësia e anëtarit të komisionit për Administratë Publike dhe Media, edhe përmes Facebook-ut ka ushtruar presion të vazhdueshëm duke kërkuar shkarkimin e bordit.

“Televizioni i Kosovës, me një grumbull problemesh, ku një pjesë e madhe ia shkakton Parlamenti, qeveria e sidomos partitë politike, ka gjashtë muaj pa drejtor të përgjithshëm”.

“Në qoftë se bordi I RTK nuk arrinë ta zgjidhë këtë bllokadë, unë si anëtarë  i komisionit për Administratë Publike dhe Media, do të kërkoj  shkarkimin e këtij Bordi”, ka thënë Zeka.

Zeka e Maliqi, para disa ditëve kanë publikuar edhe një fotografi së bashku në rrjetet sociale.

Në garë për drejtor të RTK-së ishin: Ngadhnjim Kastrati, Nexhmedin Spahiu, Menduh Abazi, Lorik Arifaj, Ragip Luta, Festim Kabashi dhe Azem Bujupi. /Insajderi.com