
“Dekadës së Re” sot i është shtuar edhe një fytyrë e vjetër dhe e konsumuar tashmë. Ai është Isni Kilaj. Me vota të fshehta Kilaj është zgjidhur në krye të degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Malishevë.
Këtu mund ta shihni dokumentarin.
Isni Kilaj njihet si ndërmjetësues i viktimave, Cen Desku dhe Jakup Kastrati të cilët e kishin akuzuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi se ka qenë pjesëmarrës në kidnapimin e tyre.
Gazeta Insajderi kishte publikuar hulumtimin “Mbyllja e dyshimtë e hetimeve për krime lufte kundër Hashim Thaçit”, ku i zgjedhuri i ri i PDK-së Kilaj ishte kujdesur që ta aranzhonte një takim në mes Thaçit dhe aktivistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Cen Deskut.
Desku dhe Kastrati kishin akuzuar Thaçin se më 30 tetor 1998 ishin mbajtur të burgosur në mënyrë të paligjshme një muaj në fshatin Sedllar të Lipjanit.
Për këtë rast EULEX-i kishte nisu një hetim për krime lufte kundër presidentit Thaçi, mirëpo ishte mbyllur nga prokurori Reshat Millaku, me arsyetimin se viktimat, Cen Desku dhe Jakup Kastrati kanë tërhequr dëshmitë e tyre të dhëna në UNMIK.
Kilaj është zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa më herët ka qenë zëvendësministër i Financave nga radhët e PDK-së.
Kujtojmë se Gazeta Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për kryetarët e rinj të degëve të PDK-së nëpër Kosovë.
Nën moton e fushatës së tyre “Dekada e Re”, PDK deri më tani nuk ka sjell as edhe një person të ri.
Sami Lushtaku, Sokol Bashota, Qemajl Mustafa, Agim Aliu, Kurtan Kajtazi, janë vetëm disa nga fytyrat e PDK-së që jemi mësuar t’i shohim si kryetar degësh të PDK-së nëpër qytetet e Kosovës./Insajderi.com