Militanti i PDK-së ngarkohet me një detyrë të rëndësishme në ministrinë e Abdixhikut

Militanti i PDK-së ngarkohet me një detyrë të rëndësishme në ministrinë e Abdixhikut

Ali Sefaj, njeriu që paragjykonte ndërtimet e hidrocentraleve, është emëruar nga Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku në krye të komisionit për vlerësimin e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve.

Pjesë e këtij komisioni në krye me Ali Sefajn, janë edhe Manduha Gojani, Miradije Gërguri, Florije Kika dhe Behar Tërdevci, raporton Gazeta Insajderi.

Por disa ditë para se të emërohej në pozitën e kryesuesit të këtij komisioni, Sefaj paragjykonte punën e lejeve të dhëna për hidrocentralet.

Përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, Sefaj kishte shkruar se të gjitha lejet për hidrocentrale janë në kundërshtim me ligjin.

“Te gjitha lejet për hidrocentralet janë dhënë në kundërshtim me nenin 78 te Ligjit te Ujërave. Sipas nenit 78 i Ligji të Ujërave e drejta ujore: për hidrocentrale, ambalazhues të ujit, hurdha të peshqve fitohet me koncesion përmes konkursit publik. Dhe për asnjerin nga hidrocentralet nuk ka pasur konkurs për koncesion”, kishte shkruar Sefaj.

Por ky qëndrim i Sefajt kishte evoluar. Mendimi i tij lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve është zbutur, shkruan Insajderi.

Disa ditë para se ai të emërohej në krye të këtij komisioni, kishte deklaruar se duhet të hartohet në mënyrë të detajuar një raport për secilin hidrocentral.

Sefaj kishte thënë se shteti nuk duhet të marr vendime arbitrare rreth ndërtimeve të hidrocentraleve.

“Pas një analize te hollësishme komisioni duhet të hartoj një raport të detajuar për secilin hidrocentral me te gjeturat dhe ti rekomandoj Sekretarit të MIA -s, qe të ndërmarr veprimet: revokimin e pelqimeve, pezullimin e aktiviketeve, obligimin për rehabilitimin e shtratit të lumit dhe respektimin e minimumit biologjik”, kishte shkruar Sefaj.

Përveç kësaj Sefaj tashmë ishte bindur se hidrocentralet janë fakt që ekzistojnë.

“Hidrocentralet tani me janë fakt qe ekzistojnë, shteti nuk duhet të ndermarr veprime arbitrare, por vetëm te kërkoj kthimin e ligjshmërisë duke respektuar Ligjin e Ujërave dhe Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës”, kishte shkruar Sefaj.

Militanti i Albin Kurtit, Ali Sefaj dikur ishte edhe militant i flaktë i Hashim Thaçit, tash president i vendit, shkruan Insajderi.

Sefaj, ishte një njeri i afërt i presidentit Thaçi, ai ishte shpërblyer në mënyrë të dyshimtë nga Thaçi – në kohën kur ai shërbente si kryeministër i vendit – në vitin 2009, kur me vendim të tij ishte emëruar kryesues i Bordit të Kompanisë së Ujitjes “Drini i Bardhë”. Insajderi kishte siguruar vendimin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, përmes së cilit kishte nënshkruar për emërimin e Ali Sefajt si kryesues të Bordit të Ujitjes “Drini i Bardhë”.

“Në Bordin e Ndërmarrjes Publike, Kompania e Ujitjes ‘Drini i Bardhë’ emërohen këta kandidatë: 1. Ali Sefaj – kryesues, 2. Fadil Kabashi, 3. Beqir Metaj, 4. Shkodran Gaxherri”, thuhej në vendimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës më 23 prill të vitit 2009, të nënshkruar nga kryeministër Hashim Thaçi.

Paraprakisht, asokohe kryeministri Thaçi kishte anuluar vendimet për emërimin e anëtarëve të Bordit të kësaj Ndërmarrjeje Publike, të zgjedhur në muajin prill të vitit 2008. Një vit më vonë, përmes ndryshim-vendimit për anëtarët e Bordit të Kompanisë së Ujitjes “Drini i Bardhë”, ai kishte emëruar Ali Sefajn në pozitën e kryesuesit të Bordit të Ndërmarrjes. /Insajderi.com