Njeriu që tash nuk ka lidhje me dialogun, tregon për një fazë të re

Njeriu që tash nuk ka lidhje me dialogun, tregon për një fazë të re

Ministrja në largim për Dialog me Serbinë, Edita Tahiri, e cila qysh prej takimit të presidentit Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq, nuk është se ka ndonjë me procesin e dialogut, ka dalë në media për të treguar diçka në lidhje me këtë proces.

Tahiri ka “zbuluar” se dinamika e dialogut kishte rënë në periudhën e verës shkaku i zgjedhjeve që u mbajtën në të dyja vendet.

“Sikurse që e dimë, dinamikat e dialogut kishin rënë në periudhën e pranverës nga shkaku i zgjedhjeve që u mbajtën në dyja shtetet, Kosovë dhe Serbi, si dhe periudhës së suspendimit të dialogut nga ana e jonë për arsye të njohura”, ka thënë Tahiri në një prononcim për Indeksonline.

Më pas ajo ka treguar se Kosova dhe Serbia po hyjnë në fazën përmbyllëse të dialogut, e cila për temë kryesore do të ketë njohjen reciproke mes dy shteteve.

Të njejtën gjë e kishte thënë presidenti Thaçi.

“Në periudhën e ardhshme do te hyjmë në fazën përmbyllëse e dialogut të Brukselit, i cili për temë kryesore do të ketë njohjen reciproke mes dy shteteve, në të mirë të stabilitetit dhe paqes në rajon, të përshpejtimit të integrimit euro-atlantik për Kosovën por edhe për Serbinë, për ardhmërinë e marrëdhënieve ndërshtetërore paqësore duke ua siguruar ardhmërinë në fqinjësi paqësore gjeneratave të reja të dyja shteteve”, ka theksuar ajo.

Tahiri vlerëson se procesi i zbatimit të marrëveshjeve duhet të vazhdoj sepse këto janë obligime detyruese që burojnë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Po marrë shkas nga ky deklarim që t’i jap një përgjigje Presidentit të Serbisë Vucic, se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është e pashmangshme nëse Serbia e dëshiron integrimin në BE, sepse fqinjësia e mirë mes shtetesh është një prej kushteve kryesore për integrimin evropian për çdo shtet që e synon BE-në. Jam e bindur se Vuçiq do ta njohë pavarësinë e Kosovës, madje duke qeshur, në vend se të qeshet me këtë kërkesë, ngase alternativa tjetër është izolimi i Serbisë dhe rrjedhimisht ngrirja e qeshjes”, vlerësoi Tahiri.