Njeriu i skandaleve në zyrën e presidentit Thaçi

Më 4 shkurt të vitit 2009, Bashkim Smakaj ishte emëruar drejtori i parë i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI). Në këtë detyrë kishte ardhur me aminin e Hashim Thaçit atëherë kryeministër i Kosovës dhe presidentit. AKI-ja nën udhëheqjen gjashtë vjeçare të tij ka qenë e mbushur më shumë skandale, por kjo nuk e ka penguar rrugëtimin e tij në njërin nga institucionet më të rëndësishme të vendit.

Njeriu i skandaleve në zyrën e presidentit Thaçi

Bashkim Smakaj, i cili ishte detyruar të jepte dorëheqje nga kreu i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës  në janar të vitit të kaluar, ka fituar post në zyrën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Smakaj është emëruar këshilltar politik në kabinetin e presidentit Thaçi.

Në faqen e Presidencës, për ish-kryespiunin, sikurse edhe për anëtaret tjerë të kabinetit të Presidentit nuk jepen të dhëna tjera e as biografi, përveç emrit dhe pozitës.

Pavarësisht të kaluar së tij të errët dhe të përshkuar me plot skandale në AKI, Thaçi ia ka besuar Smakajt një post në presidencë.

Bashkim Smakaj ishte detyruar të japë dorëheqje nga kreu i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës më 6 janar të vitit 2016. Këtë vendim e kishte marrë presidentja Atifete Jahjaga për shkak të skandaleve dhe shkeljeve ligjore nga Smakaj.

Arsyeja kryesore për të cilën ishte shkarkuar Smakaj ka qenë rasti i të miturit Erion Zeka për të cilin AKI kishte thënë se e ka kthyer nga Siria, derisa nuk kishte lidhje fare me këtë operacion. Kthimin e tij e kishte bërë një xhihadist kosovar që kishte vendosur ta braktiste Sirinë.

Atij i janë numëruar edhe skandalet tjera para shkarkimit, raporton Insajderi.

Më 31 janar të vitit të 2015, Smakajt i ishte vazhduar mandati i dytë pesë-vjeçar nga presidentja Jahjaga dhe ish-kryeministri Hashim Thaçi.

Ish-drejtori i AKI-së ka qenë i përfshirë në shkumë shkelje ligjore. Madje vëllai i tij ishte arrestuar për vjedhje nafte në stacion të Policisë në Gjakovë.

Gjatë kohës sa AKI-ja drejtohej nga Smakaj, nuk kishin munguar skandale të tjera që lidheshin me agjencinë.

Në prill të vitit 2015 policia kishte arrestuar Isuf Lumin, zyrtar i lartë në AKI, për shkak të diplomës false të shkollës së mesme. Ai kishte tri diploma të shkollës së njëjtë. Isuf Lumi (1966) nga Bllaca e Suharekës ishte zbuluar se nuk e kishte të kryer fare shkollën e mesme.

Por si dëshmi njëherë për t’u punësuar pastaj për t’u bërë hetues, dhe më vonë për gradë, kishte sjellë tri diploma, me numra të ndryshëm protokolli, të prezantuara si dublikatë. Arsyeja pse ishin prezantuar si të tilla ka qenë asgjësimi i arkivit gjatë luftës.

Skandal tjetër gjatë udhëheqjes së Smakajt në AKI ka qenë arrestimi i dy zyrtarëve të lartë të AKI-së nga autoritetet turke me të dalë nga aeroporti i Stambollit, tetorin e vitit të vitit 2015.

Barlet Gashi, drejtor i operacioneve në Agjencisë e Kosovës për Inteligjencë dhe Driton Fetahu – drejtor i analizës kishin hyrë në Turqi në mënyrë të paligjshme në kohën kur pritej kthimi i të miturit Erion Zeka nga Siria. Kthimin e tij e kishte marrë përsipër Fitim Lladrovci me kusht që kur të vinte në Kosovë të kishte lehtësira në procedurën penale.

AKI-ja nuk ishte e implikuar në këtë rast, por kishte ndërhyrë për ta marrë atë si operacion të saj. Ligji për AKI-në ndalon veprimet e këtij shërbimi jashtë territorit të Kosovës. /Insajderi.com