Njësia e Inteligjencës nis punën brenda burgjeve – këto janë detyrat që do t’i ketë

Njësia e Inteligjencës nis punën brenda burgjeve – këto janë detyrat që do t’i ketë

Burgjet e Kosovës tashmë do të kenë brenda tyre edhe njësitë e inteligjencës, të cilët nuk do të lejojnë të futen substanca narkotike e telefona brenda haëpsirave të shërbimeve korrektuese, transmeton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, i cili ka njoftuar edhe për detyrat që do t’i ketë kjo njësi e inteligjencës.

“Funksioni i tij është shumë i thjeshtë, detyrat primare përmes këtij ligji do të jenë mbledhja e informacioneve për sigurinë e burgjeve dhe të burgosurve si dhe bashkëpunimi me organizatat e tjera të sigurisë ku ne informacionet të cilat e sigurojnë rendin, informacionet e mbledhura burgjeve e të cilat kanë indikacion për sigurinë kombëtare”, tha Thaçi për gazetën Objektiv.

Thaçi tutje tha se misioni i këtij grupi të inteligjencës do të jetë i thjeshtë, pasi që nuk kanë të drejtë hetimore e as operacionale, por vetëm do t’i plasojnë informacionet te organet tjera kompetente për siguri.

“Ne do t’i plasojmë te organet e tjera kompetente për siguri. Prandaj, misioni i tyre është kaq i thjeshtë vetëm mbledhja e informacioneve dhe asgjë më shumë, sepse ata nuk kanë të drejtë hetimore, nuk kanë të drejtë operacionale. Përmes kësaj njësie sigurisht që do të organizohen edhe operacione të ndryshme, qoftë të bastisjeve dhe operacione të tjera, që ndodhin brenda shërbimit korrektues, është e mangët nëse nuk ka një informacion inteligjentë paraprak të bazuar që të jetë informacion sa ma i suksesshëm”, shtoi Thaçi.

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, tha se kjo njësi është e mirëseardhur, pasi sipas tij Policia juridikisht nuk kanë të drejtë të operojnë brenda burgjeve.

“Kjo është një indikacion bukur i mirë se krimi i organizuar brenda burgjeve do të përfundoj, aktiviteti i tyre brenda burgjeve, sepse është krijuar opinioni se në burgjet e Kosovës është duke u zhvilluar korrupsion dhe krim i organizuar, qoftë përmes të burgosurve, por duke shfrytëzuar edhe gardianë të caktuar të cilët për përftime materiale lejojnë që të futen elemente të ndryshme ilegale brenda burgjeve të Kosovës”, përfundoi Shala. /Insajderi.com