Një vit nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë: Infeksione, vdekje, kriza ekonomike e politike, gjoba e ankesa

Një vit nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë: Infeksione, vdekje, kriza ekonomike e politike, gjoba e ankesa

Një vit më parë u paraqitën dy rastet e para me SARS-CoV-2  në Kosovë – kur kanë kaluar 365 ditë, ky numër është rritur dukshëm. Shifra e infeksioneve ka shkuar në 76.110.

Prej tyre 1.688 qytetarë nuk kanë arritur t’i përballojnë COVID-19, vdiqën. Por, virusin famëkeq e mposhtën 63.892 të infektuar, brenda vitit.

Kosova shënon një vjetorin e shpërthimit të pandemisë, në një kohë ku rritja e numrit të infeksioneve është shtuar ndjeshëm.

Të premten e 12 marsit, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, raportoi për 730 raste të reja. Ishte “Rekord i Zi”, për vitin 2021, pasi kishte edhe më keq. Më 13 nëntor 2020 u regjistruan hiq më pak se 963 infeksione brenda njëzetekatër orëve.

Për t’i ndalur këto infeksione që shkaktojnë vdekje, dy qeveritë që gjatë këtij viti krizash posedonin “dorën ekzekutive” për ta menaxhuar pandeminë, merrnin vendime që shpesh nuk pëlqeheshin – por qeveria i shihte si domosdoshmëri.

Më 13 mars kur rastet e para ishin paraqitur,  ministri asaj kohe i Shëndetësisë, Arben Vitia, urdhëroi që Klina e Vitia të hynë në karantinë – një ditë më vonë këtyre komunave iu shtua edhe Malisheva. Ishin komunat e para me të cilat Coronavirusi ‘filloi betejën”, e cila ende vazhdon – tash me gjithë vendin.

Vendimi qeveritar ishte rigoroz ‘izolim i plotë’. Përpos humbjes së lirisë po rrezikohej edhe mirëqenia. Kështu COVID-19 po luftonte me njerëzit, ekonominë e çdo segment tjetër të jetës.

Ankesat kishin filluar. Kërkesa për miell ishte rritur – panika në kombinacion, shkruan Insajderi.

Qeveria e atëhershme Kurti  propozoi një “Pako Emergjente”, më vonë lindi nevoja  edhe për një tjetër “Pako për Rimëkëmbje Ekonomike”, por kjo e fundit e projektuar nga Qeveria Hoti.

Kjo tregon se edhe gjatë kohës së krizës shëndetësore e ekonomike, ka pasur hapësirë edhe për krizë politike.

Sidoqoftë, po bëheshin gati tre muaj që njerëzit ishin mbyllur nëpër shtëpitë e tyre. Pati orë policore për ta kufizuar lëvizjen. Asgjë nuk po funksiononte normalisht.

Kështu, Qeveria Kurti që kaloi në detyrë pas shkarkimit, vendosi që të fillojë masat lehtësuese në tri faza. Nga 4 maji e deri në 1 qershor.

Në qershor ndryshuan menaxhuesit e pandemisë, nuk ishte më Kurti, por Avdullah Hoti – vendin e Vitisë e mori Armend Zemaj.

Kohën e verës gjatë pandemisë e shoqëruan kërkesat e estradës për lejimin e organizimit të dasmave.  “S’ka virus”, thoshte organizatori i protestës teksa këmbëngulte që ahengjet të lejoheshin.

Në gusht Kosova u përballë me një një valë tjetër të shpërthimit të pandemisë.

Kjo ndikoi që definitivisht më 14 gusht Kuvendi i Kosovës ta votonte projekt-ligjin anti-COVID.

Nga ajo datë ekzistonte ligj që dënonte qytetarët e bizneset për mos-zbatim të masave.

Por, kjo nuk mjaftoi – kishte nevojë edhe për të tjera reagime.

Nevojë që ekzekutivi këshillohej nga profesionistët,  pasi “gjendja pretendohej se kishte dal nga kontrolli”, ishte formuar Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë.

Me këshillat e tyre në nëntor, Qeveria Hoti vendosi për masa të reja. Përfshinin kufizim të orarit së punës për aktivitetin ekonomik, orë policore në zona më të rrezikshme.

Vendi ishte ndarë në tri zona për nga rrezikshmëria e pandemisë, Prishtina vazhdimisht ishte dhe mbetet “e kuqe”, disa qytete tjera kalonin sa kah e verdha e sa ka e gjelbëra – kjo ndryshon çdo të premte – sa herë mblidhet komiteti.

Masat të ngjashme të kufizimeve u vendosnin edhe gjatë muajit dhjetor.

Shoqëroheshin me protesta të atyre që vendimet e Qeverisë iu rrezikonin direkt “mbijetesën financiare”.

Gastronomet u ankuan më së shumti – organizonin edhe aksione në rrugë. Madje, premtonin se “as kafe për ministrat s’kanë për t’iu shërbyer më”.

Kritika jepëshin nga të gjitha anët për Qeverinë Hoti që edhe kjo gjatë dhjetorit kaloi në detyrë, pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

Mos-sigurimi i vaksinës mbetet kritika më e shpeshtë drejtuar kah Armend Zemaj e Avdullah Hoti.

Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka siguruar vaksinën anti-COVID të kompanisë “Pfizer”.

Sigurimi i kësaj vaksine u bë pjesë e premtimeve elektorale gjatë fushatës zgjedhore për votimet e 14 shkurtit.

Partitë premtonin “shpëtim nga COVID-19”, në tubime me qindra njerëz që Coronavirusi “i pret me ëndje”.

Kjo praktikë e partive politike po kundërshtohej nga shumë qytetarë – tash ata nuk hezitojnë t’i quajnë “padrejtësi” të gjitha gjobat që Policia e Kosovës  ju ka ndarë atyre  për mos-respektim te kufizimeve anti-COVID. /Insajderi.com