Nobelistja gjermane në Beograd: Serbia fajtor për vuajtjet e fqinjëve të saj

Nobelistja gjermane në Beograd: Serbia fajtor për vuajtjet e fqinjëve të saj

Serbia i ka bërë zullume vetes dhe serbët duhet të jetojnë me këtë vërtetë. Ata i kanë sjellë vuajtje vetvetes dhe të tjerëve, kështu ka deklaruar shkrimtarja e famshme gjermane, nobelistja Herta Myller (Herta Müller), e cila është duke e vizituar Beogradin si mysafire e Panairit të Librit.

Ajo e ka shokuar opinionin serb pasi në një bashkëbisedim me lexues ka deklaruar se Serbia është fajtore për vuajtjet e saja dhe të fqinjëve të saj.

Shkrimtares ia kanë rikujtuar kritikat e saja ndaj Serbisë dhe përkrahjen e sulmeve të NATO-s në kohën e bombardimeve më 1999, duke ia cituar fjalinë e saj të atëhershme se “Millosheviqi duhet të ndalet njëherë e përgjithmonë”.

“Një njeri si Millosheviqi, që i zhvillon katër luftëra brenda nëntë vjetëve dhe në mënyrë aq praktike ndërton varreza – nuk mund të ndalet me fjalë. Kosovës dhe Bosnjës u janë shkaktuar shumë dëme dhe të këqija për arsye të nacionalizimit të tmerrshëm”, ka thënë ajo, njofton Klan Kosova.

Ajo më tej ka thënë se nuk priste që Jugusllavia që në atë kohë njihej si gjysmë-parajsë të shpërthente me një nacionalizëm të tillë, që do t’i bëte keq vetvetes dhe fqinjëve.

“Isha e tmerruar. Nuk prisja që në një vend si Jugosllavia, e cila asokohe për ne ishte një gjysmë-parajse, të shpërthente nacionalizmi. Mirëpo, ky vend i ka bërë keq vetvetes. Serbët i kanë bërë keq vetes. Edhe Kisha Ortodokse Serbe ka pasur fajësi për tmerret e ndodhura”.