“Normalizimi i hapësirës ajrore me Serbinë të mos kushtëzohet me heqjen e taksës”

“Normalizimi i hapësirës ajrore me Serbinë të mos kushtëzohet me heqjen e taksës”

Marrëveshja për operimin e kompanisë ajrore “Lufthansa” në linjën Prishtinë-Beograd, të nënshkruar dje në një ceremoni të veçantë në Ambasadën amerikane në Berlin, po konsiderohet një hap pozitiv për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Drejtues të institucioneve të vendit deklarojnë se aviokompania gjermane “Lufthansa” synon të hapë korridorin ajror Prishtinë-Beograd.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, duke komentuar kushtëzimet e autoriteteve të Serbisë për zbatimin e kësaj marrëveshje, tha se nuk duhet të bëhet kompromis për heqjen e taksës 100 për qind.

Lekaj thotë se falë përkrahjes së SHBA-së, kjo letër e përafrimit do të ndikojë dukshëm edhe krijimin e korridorit për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të Serbisë nga aviokompanitë që aterrojnë në aeroportin “Adem Jashari”, si dhe do të shkurtojë hapësirën edhe në kohë për rreth 30 minuta, por edhe për zbritjen e çmimeve të biletave.

“Ne kemi vetëm një fillim të mbarë, Beograd – Prishtinë dhe Prishtë – Beograd, dhe nuk është për vendet e pesta për hapësirën ajrore. Megjithëkëtë, ky është një hap shumë përpara që ne të krijojmë korridore në këtë drejtim dhe të përdoret edhe hapësira ajrore e Serbisë për aviokompanitë që aterojnë në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’”.

“Është një spekulim asnjë herë nuk është përmendur heqja e taksës për firmosjen e kësaj marrëveshje. Në asnjë moment nuk është diskutuar heqja e taksës. E them, se në këtë drejtim nuk kisha bërë kompromis”, thotë Lekaj, shkruan Insajderi.

Kompania ‘Lufthansa’ duhet të kërkojë aprovimet dhe licencat për të gjitha fluturimet, sipas kërkesave, rregulloreve dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, sipas marrëveshjes për ECAA.