
Një ditë pasi që një numër fluturimesh në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës u anuluan për shkak të rënies së temperaturave dhe reshjeve të borës, situata është normalizuar.
Unidon Krasniqi, zyrtar për informim në aeroport, i ka thënë Insajderit se deri më tani të shtunën janë realizuar 19 fluturime me sukses.
“Deri më tani të gjitha fluturimet janë realizuar me sukses, përpos fluturimit të Turkish Airlines drejt Stambollit. Ky fluturim është anuluar për shkak të motit të ligë në Stamboll,” ka thënë ai.
Ai ka njoftuar se janë gjithsej 84 fluturime të planifikuara për sot – 43 në shkuarje e 41 në arritje – dhe se beson se fluturimet do të realizohen me sukses.
Gjatë të premtes, Krasniqi kishte njoftuar se një numër fluturimesh janë anuluar për shkak të motit të lig. Një pjesë e atyre fluturimeve janë transferuar për sot./Insajderi.com