Norvegjia e vlerëson vendimin e Kosovës për t’i strehuar afganët

Norvegjia e vlerëson vendimin e Kosovës për t’i strehuar afganët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti të martën në takim ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl, me të cilin diskutoi për vendimin e Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershëm për qytetarët afganë, të cilët janë larguar nga Afganistani pasi vendi u pushtua nga talebanët.

Në takim, ambasadori Grøndahl shprehu vlerësimin e Mbretërisë së Norvegjisë për këtë vendim të institucioneve të Kosovës.

Ndërsa, Osmani i shprehu falënderim ambasadorit për mbështetjen e gjithanshme të këtij shteti ndaj institucioneve të Kosovës, duke përfshirë në menaxhimin e pandemisë dhe ngritjen e kapaciteteve për politikbërje efikase.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani vlerësoi mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë, e cila nëpërmjet një Memorandumi të Mirëkuptimit do t’i ofroj Zyrës së Presidentes, ekspertizë në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, si dhe fushat e tjera, varësisht nga nevoja”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Presidentes.

Ndryshe, të dielën në aeroportin e Prishtinës ka arritur avioni i parë me 111 refugjatë afganë, të cilët do të vendosen në Kampin e Bechtel & Enkas në Ferizaj.

Pos Kosovës, edhe Shqipëria ka pranuar refugjatët afganë.

Strehimi i tyre është i përkohshëm, deri në përmbylljen e procesit të dokumentacionit për emigrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në ndonjë shtet të Bashkimit Evropian./Insajderi.com