Noterja vërteton tjetërsimin e pronës në vlerë të 250 mijë euro

Noterja vërteton tjetërsimin e pronës në vlerë të 250 mijë euro

Ky lokal në lagjen Ulpiana të Prishtinës përbën rast konkret të tjetërsimit të pronës private.

Madje, krejt kjo haptazi dhe nëpërmjet dokumenteve.

Deri më 15 shkurt të këtij viti, ky lokal në vlerë të 500 mijë eurove, ishte bashkëpronësi e Bekim Malokut dhe Krenar Alidemës.

Por, me këtë datë pa dijeninë e Alidemës, pjesa e tij i kaloi një personi tjetër, Agim Spahiut.

Gjithë kjo, u bë përmes një aneks kontrate të përpiluar nga noterja Valbona Murtezi Bytyqi, të nënshkruar nga pronarët e vjetër, Lulzim dhe Aida Qerkini, Maloku si bashkëpronar, dhe Spahiu si pronar në vend të Alidemës.

Megjithëse, bazuar në kontratën e 21 dhjetor 2020, Alidema kishte blerë lokalin me Malokun, emri i tij nuk figuron fare si palë në aneks.

Për këtë, ai pretendon se prona iu shit pa vullnetin e tij, pasi thotë se as nuk ishte në dijeni se i ishte larguar e drejta për të qenë pronar.

“E kom thirr Aida Qerkinin është pronarja që na ka shit lokalin d.m.th Lulzim dhe Aida Qerkini. E kom thirr, unë pagesën  e kom kryer një vit më herët, edhe e pyeta i thash a e ka kryer Bekim Maloku pagesën e lokalit? Tha jo nuk e ka kryer, po tha as lokali nuk është më i joti sepse na ia kemi bartë Agimit. Thash po qysh e keni bartë pa qenë unë prezent hiç? Tha qashtu na ka thënë noterja dhe e kemi nënshkruar, na ka thënë noterja që ju jeni marrë vesh”, thotë Alidema.

Në aneks kontratën e përpiluar nga noterja Murtezi Bytyqi dhe nënshkruar nga palët e tjera, thuhet se palët deklarojnë se Alidema ishte pajtuar për shitjen.

Megjithatë, në asnjërën pjesën nuk ka deklaratë të tij e as nënshkrim.

Kjo sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi përbën shkelje nga noterja.

Eksperti Gzim Shala thotë se kalimi i pronësisë së një personi pa nënshkrimin e tij përbën edhe vepër penale.

“Është parim i drejtësisë që askush nuk mund t’i bartë të drejtat e dikujt tjetër, për këtë arsye në asnjë rast nuk mundet që në njëfarë forme të supozohet pëlqimi i një personi të caktuar nëse i njëjti nuk e jep pëlqimin e tij për bartjen e pronësisë”, sqaron Shala.

Për këtë, Alidema ka parashtruar edhe kallëzim penal pranë Policisë së Kosovës, ndaj noteres, Malokut, Spahiut dhe pronarit Qerkini.

“Të vetmin moment kur kom kontaktuar me noteren është kur i kam dërguar e-mail, të cilit nuk i është përgjigj deri në momentin që ka reaguar zotëri Gjinolli, sekretar i odës. Edhe më e kom pa që ajo nuk ka vullnet me bisedu sepse ajo ish dashtë automatikisht me më tregu mu që e ka bërë një veprim të tillë, të paktën me të kërku falje ose diçka, e ka pas e-mailin tim. Nuk ka reaguar, atëherë ju kom drejtu policisë dhe prokurorisë”, thotë Alidema.

Lidhur me këtë Shqip.com ka provuar të marrë një përgjigje nga noterja Murtezi Bytyqi përmes emailit, por nuk u është përgjigjur.

E njëjta ka refuzuar të flas edhe kur ekipi i Shqip.com i është paraqitur në zyrën e saj.

Avokati i angazhuar nga Murtezi Byqyti, Florim Shefqeti, thotë se noterja nuk ka bërë asnjë shkelje, ani se nuk jep sqarime pse Alidema nuk është palë nënshkruese.

“Ne kemi dokumente, të njëjtat ua kemi përcjell organeve kompetente dhe gjithsesi që do të bëhen publike edhe për mediumet kur t’i vjen koha, sepse tani nuk është koha. Unë ju thash që nuk dua të deklarohet për ato sepse nuk janë për media”, tha Shefqeti

Tutje, Shefqeti thotë se aneks kontrata ka pasur kushtin që lokali të kaloj në pronësi të Spahiut vetëm pasi t’i bëhet pagesa prej 250 mijë euro Alidemës.

Por, sërish edhe kjo pa vullnetin e tij.

Shefqeti: Aneks kontrata ka qenë një dokument ju thash që është përpiluar në kuptimin e kontratës me kusht, nëse e merrni dhe lexoni me kujdes aty shkruan që kushti paraprak është që t’i bëhet kthimi i shumës së mjeteve të paguara nga ana e Krenarit.

Gazetarja: A ka dashtë Krenari me ju kthy mjetet dhe me e shit pronën?

Shefqeti: Po ka dashtë, janë procedurat në të cilat do të vërtetohet se ai ka dashtë.

Gazetarja: Cilat procedura?

Shefqeti: Procedurat gjyqësore dhe ligjore.

Gazetarja: Mirë, por ku e ka thënë ai vullnetin e tij ku e ka shpreh në çfarë dokumenti e ka shpreh vullnetin e tij që nuk po dëshiron me e mbajt pronën?

Shefqeti: Lidhur me këtë ne jemi deklaruar në disa institucione kompetente dhe gjithsesi jemi  duke u deklaruar edhe tutje sipas kërkesave dhe ftesave të tyre”.

Alidema mohon deri në këto momente të ketë pranuar para nga Spahiu, dhe nëse ato do t’i dërgohen thotë se do t’i kthej mbrapsht.

“Jo nuk është bartë asnjë cent dhe realisht as nuk jam i interesuar me mu bartë ndonjë pjesë e mjeteve sepse unë nuk kam dashtë me e shit lokalin e as nuk jam tu dashtë. Unë lokalin kom me kërku me e nda në dy pjesë nëse veç vazhdohet kështu, unë do ta ndaj lokalin, pjesën temë do ta marrë do ta ndaj me mur, do ta lus gjykatën me më leju me nda”.

Lidhur më këtë Shqip.com ka provuar të marrë një përgjigje Spahiu, por në numrin e telefonit të tij është përgjigjur një person tjetër, duke deklaruar se është vëllai i tij, dhe refuzuar të kaloj telefonin tek Spahiu.

“Jo, nuk jam Agimi, jam vëllai i vetë. Nuk e kom afër. Vallai pa autorizimin e tij nuk mundem”.

Ndërsa, Maloku si bashkëpronar, ka refuzuar të përgjigjet duke kërkuar të mos kontraktohet më.

“Tu kisha lut mos më kontakto më. A ka mundësi?”

Pronarët e vjetër, Lulzim dhe Aida Qerkini përmes një përgjigje me shkrim thonë se janë palë e dëmtuar, pasi ashtu sikurse Alidema janë vënë në lajthitje nga noterja Byqyti dhe pronarët e rijnë Maloku dhe Spahiu.

“Unë edhe një herë e përsërisë se me aneks- kontratën Lrp.nr.4419/2020 dhe Ref.nr.2417/2020 të datës 15.02.2022, e cila është përgatitur dhe përpiluar pa prezencën time nga noterja Valbona Murtezi Bytyqi duke shkelur dispozitat ligjore dhe aktin noterial, përveç që janë cenuar të drejtat e mija L. Q. janë cenuar të drejtat edhe të Krenar Alidema.

Unë jam palë e dëmtuar dhe jam vënë në lajthitje dhe mashtrim nga noterja dhe bashkëpunëtorët e saj.

Për këtë arsye kam angazhuar një avokat dhe do t’i përdori të gjitha mjetet juridike të cilat janë dispozicion për t’i mbrojtur të drejtat e mia të cilat janë cenuar nga lidhja e aneks -kontratës të lartpërmendur”, thotë Qerkini përmes e-mailit.

Për këtë, avokati mbrojtës i noteres nuk ka dashur të komentoj.

“Personat e tjerë për të cilët nuk kam autorizim unë nuk flas sepse nuk ma lejon kodi i etikës, derisa ti më thua me fol për deklarimet e tyre i bie me fol.. Unë të tregova nuk jam avokat i tyre për me mbrojt ose kundërshtuar për deklarimet e tyre. Ju i paskeni pyet ata është qëndrim i tyre, secili ka të drejtë me dhanë qëndrimin e vetë”.

Për lokalin, Alidema kishte kryer obligimin ndaj qiftit Qerkini, duke e bërë pagesën përmes tri urdhërpagesave.

Pagesa e parë ishte bërë në vitin 2020 në vlerë të 50 mijë eurove, e dyta në shkurt të vitit 2021 në vlerë të 180 mijë euro dhe e treta në tetor të po të njëjtit vit në vlerë të 20 mijë eurove, duke përmbushur ne tërësi  obligimin sipas kontrate.

Për këtë, Alidema ka bërë kallëzim penal pranë Policisë së Kosovës me 23 maj, ndaj noteres pronarëve të rijnë si dhe Qerkinit si pronar paraprak.

Por, më pas ky i fundit është larguar nga kallëzimi penal, meqë kishte qenë po ai që e kishte informuar Alidemën dhe deklaruar se ishte keq informuar mbi gjendjen e tij.

Përmes këtij kallëzimi, ai pretendon se “në bazë të veprimeve të lartcekura ka dyshim të arsyeshëm se palët e dyshuara kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe mashtrimit të përcaktuar në bazë të Kodit Penal të Kosovës..”.

Pas këtij kallëzimi, noterija Bytyqi me 12 qershor ushtron padi ndaj pronarit të vjetër të lokalit Qerkini, dhe dy pronarëve të rijnë bazuar në aneks kontratë, Spahiu dhe Maloku.

Si rrjedhojë, ajo kërkon caktimin e masës së sigurisë, duke kërkuar nga organet për mos kalim të pronësisë nga Alidema tek Spahiu, pasi sipas saj nuk ka qenë në dijeni për mosmarrëveshjes mes tyre.

I pyetur avokati i saj se pse ka pasur nevojë për masë sigurie nëse gjithçka ishte në rregull, fillimisht thotë pas presionit medial, e më pas vetë mohohet.

Shefqeti: Ne i kemi ndërmarrë të gjitha procedurat ligjore, edhe me masë të sigurisë edhe me bllok edhe me ndalim edhe me të gjitha.

Gazetarja: Në qoftë se gjithçka ka qenë në rregull, pse ka qenë e nevojshme masa e sigurisë?

Shefqeti: Po kur është zhvilluar kjo çështja e pretendimit mendial gjoja se u bë çka u bë, atëherë normalisht u dashtë me procedura për me..

Gazetarja: Pse nevojitet presion medial për me kërku masë sigurie?

Shefqeti: Jo, asnjëherë nuk them ashtu”.

Në anën tjetër, nga Komuna e Prishtinës thonë se nuk mund të ofrojnë të dhëna mbi emrat e pronarëve aktual të lokalit.

“Drejtoria e Kadastrit ju njofton se duke u bazuar në nenin 15.1 të Udhëzimit Administrativ Nr.12/19 për zbatimin e ligjit për Kadastër nuk mund të ju jap informata për arsye se duhet me qenë pronar ose i autorizuar nga pronari”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Nëse, Gjykata vërteton se janë bërë lëshimet ligjore dhe kjo me dashje nga ana e noteres, atëherë Shala thotë se kalon në vepër penale të dënueshme me burg.

“Kjo shkelje mund të implikoj edhe përgjegjësi penale, për këtë arsye prokurori i shtetit duhet që në rastin konkret të përcaktoj nëse kemi të bëjmë me vepër penale ose jo. Vepra penale në këtë rast që mund të jetë keqpërdorim i detyrës nga ana e noteres duhet të vërtetohet edhe elementi i dashjes, nëse ajo ka pasur e ka ditur apo është dashur ta dijë për këtë kundërligjshmëri. Dhe nëse kjo vërtetohet qartazi më pastaj kemi të bëjmë me vepër penale”, sqaron Shala.

Tutje, me 6 korrik Alidema ka parashtruar edhe ankesë në Odën e Noterëve të Kosovës për shkelje disiplinore.

Shqip.com ka provuar të marrë për këtë përgjigje nga oda, por nuk janë deklaruar.

Megjithatë, Shala thotë se nëse është bërë shkelja e pretenduar në kallëzimin penal, atëherë noteres mund t’i tërhiqet licenca.

“ Nëse ka ndodhur, pa marrë parasysh mënyrën se si ka ndodh ky gabim nëse faktet qëndrojnë kështu, unë besoj se qartazi kemi të bëjmë me shkelje disiplinore e që në rastin konkret shkeljet disiplinore shkojnë që nga vërejtja, dënimet apo deri tek marrja e licencën për ushtrimin e veprimtarisë”.

Në anën tjetër, Shqip.com merr vesh se rasti fillimisht është hetuar nga Krimet Ekonomike, e më pas ka kaluar në Departament të Përgjithshëm.

Megjithatë, këtë nuk e pohojnë nga policia.

Lidhur me rastet të cilat mund të kenë kaluar në kompetencë të organeve të drejtësisë, sipas kompetencës mund ti referoheni këtyre të fundit”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Shqip.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Prokuroria e Shtetit lidhur me fazën e hetimeve, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Por, Alidema thotë që ky të mos jetë rasti i vetëm.

Ai pretendon se këtë e kuptoi pasi noterja tentoi t’ia kaloj mjetet nga shitja e aksioneve të tij, në llogari të Malokut.

Alidema si aksion i një barnatore, në maj të këtij viti u kishte shitur aksionet vëllezërve të vetë në vlerë të 1.2 milionë eurove.

Gjithë kjo sipas tij ndodhi duke shfrytëzuar situatën, meqë ai gjendjen jashtë vendit në arrati, pas një dënimi të shqiptuar nga shteti zviceran.

“Këta i kanë ditë problemet e mija me drejtësinë sepse këta i kom pas edhe shok, realisht Agim Spahiu ka qenë edhe ndërmjetësues kur i kom shit aksionet. Edhe me siguri e kanë mendu që unë nuk do të kthehem më edhe kanë mendu që munden me bërë veprime të tilla dhe nuk merret vesh”, thotë Alidema.

Për këtë, ai kishte autorizuar nënë e tij, duke i dhënë të drejtën e marrjes së mjeteve.

“Ata kanë dashtë me noteren me bo autorizimin Bekimit, se kishe janë marrë vesh me Krenarin me i marrë paret Bekimi derisa të kthehet Krenari. Por, unë e kom pas autorizimin i kom pas videon që ma ka qu. E noterja ka dashtë në mënyrë të paligjshme me e ia bo atij autorizimin”, thotë Shehize Alidema, e ëma e Krenarit.

Për këto pretendime, mohon të jetë në dijeni vetë avokati.

“Nuk e di dhe nuk, unë tash po kuptoj ky ka qenë supozim, që këtu ka kërkesa të tjera jashtë asaj që janë në aneks kontratë, të cilat unë  nuk, është hera që po dëgjoj dhe nuk besoj që mundet me pas një tendencë të tillë dhe madje nuk e di a është raportuar ndonjëherë nga ana e zotëri Alidema”, thotë Shefqeti.

Tash, mbetet në dorën e organeve për të sjell drejtësinë në vend.

Apo, për të sjell një precedent të ri të veprimit, ky mjaftojnë disa dëshmitarë që e drejta e pronës të të hiqet./Insajderi.com

Vërejtje: Të gjithë personat e lartpërmendur si të dyshuar, konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Kosovës.