Nuk dërgohet në Kuvend projektligji që parasheh shkurtimin e posteve qeveritare

Nuk dërgohet në Kuvend projektligji që parasheh shkurtimin e posteve qeveritare

Qeveria në detyrë nuk ka arritur të finalizojë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend projektligjin për qeverinë, i cili parasheh shkurtimin e posteve qeveritare, transmeton Insajderi.

Ky projektligj ishte iniciuar qysh në vitin 2018 nga qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Ramush Haradinaj, e cila kishte numrin më të madh të ministrive që nga paslufta, me 21 ministri, pesë zëvendëskryeministra dhe më shumë se 80 zëvendësministra.

Ndërkaq, në gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti kishte finalizuar projektligjin për qeverinë, por si i tillë u dërgua në Komisionin e Venecias për të marrë interpretim nga ky komisioni sa i përket kushtetutshmërisë.

“Kemi komunikuar drejtpërdrejt me Komisionin e Venecias dhe kemi arritur të sigurohemi që në seancën e tetorit do të kemi një përgjigje nga ky komision”, kishte thënë zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, në një mbledhje të Qeverisë të mbajtur në muajin gusht.

Projektligji për Qeverinë, i cili është i publikuar në ueb-faqen e saj, përveç tjerash ka paraparë që të mos kishte më shumë se tre zëvendëskryeministra dhe jo më shumë se pesëmbëdhjetë ministri me përjashtim, që me propozim të mandatarit për formimin e Qeverisë, mund të propozohen edhe dy ministri shtesë.

Me këtë projektligj, po ashtu, kryeministri do të mund të emërojë deri në katërdhjetë zëvendësministra.

Arbëresha Loxha, drejtoreshë, thotë se këtë e kanë bërë që të mos bëhen, siç thotë ajo, abuzime sa i përket numrit të madh të ministrave e zëvendësministrave qysh janë bërë nga qeveritë e kaluara.

“Pavarësisht faktit që në qeverinë e udhëhequr nga Vetëvendosje edhe Lidhja Demokratike e Kosovës me kryeministër Albin Kurti, ishte ulur numri i ministrave dhe zëvendësministrave, e njëjta u kthye mbrapa në Qeverinë Hoti, e cila ishte qeveria e dytë për nga numri më i madh i zëvendësministrave dhe ministrive”, thotë Loxha.

Nisur nga kjo, Loxha thotë se në Kosovë është i domosdoshëm Ligji për Qeverinë, por që, sipas saj, një gjë e tillë po neglizhohet.

“Ka pasur tendencë përsëri të abuzohet me madhësinë e qeverisë dhe nuk ka qenë prioritet i qeverive që të adresohen këto probleme që kanë të bëjnë me madhësinë dhe aspektet tjera që lidhen me llogaridhënien dhe privilegjet e kabinetit qeveritar për këtë arsye edhe është lënë pa miratim ky ligj”, thotë ajo. /Insajderi.com