Nuk dihet nëse Guardia di Finaza do ta hetojë skandalin 2 milionësh

Nuk dihet nëse Guardia di Finaza do ta hetojë skandalin 2 milionësh

Guardia di Finaza, agjencia italiane për zbatimin e ligjit, nuk e ka konfirmuar nëse do të marrin pjesë në hetimin e skandalit 2 milionësh në Ministrinë e Financave muajin e kaluar.

Në një përgjigje për REL, Guardia di Finanza deklaroi se pas kërkesës së institucioneve të Kosovës, janë në pritje të ndërmarrjes së veprimeve nga Qeveria italiane.

“Kërkesa për asistencë është bërë nga ministrja e Financave [të Kosovës, Hykmete Bajrami direkt tek ambasadori italian në Kosovë Nicola Orlando. Kështu që, për momentin ne jemi duke pritur dispozitat qeveritare që eventualisht mund të ndërmerren në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e Guardia di Finanza.

Ndërsa për këtë çështje ka folur zëdhënësja e Ambasadës së Italisë në Kosovë e cila shprehu gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin dy palësh Kosovë-Itali.

“Italia e konfirmon atë që ka thënë ministrja, Hykmete Bajrami në lidhje me kërkesën e saj për bashkëpunim e cila aktualisht iu është bërë me dije autoriteteve italiane për zhvillimin e kapaciteteve kosovare, trajnim dhe këshillim. Konfirmojmë gatishmërinë tonë për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm dypalësh me Qeverinë e Kosovës për këto dhe tema të tjera brenda kornizës së programeve të BE-së, sipas kërkesës zyrtare”, tha zëdhënësja e Ambasadës së Italisë në Kosovë, Arjeta Halitaj. /Insajderi.com